Connect with us

Rajon

Pranimi i planit franko-gjerman e bën lëmsh opinionin në Serbi

Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Beogradi është i gatshëm të pranojë konceptin e një propozimi evropian për zgjidhje të marrëdhënieve me Kosovën ka përçarë opinionin serb, me disa që kërkojnë që ai të mos jetë lojtari i vetëm në këtë çështje dhe të shpjegojë thelbin e propozimit para parlamentit serb, ndërsa të tjerë kërkojnë që ta nënshkruajë atë sa më parë. Pas takimit me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së, Vuçiq tha se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin e planit evropian dhe të punojë në zbatimin e marrëveshjes së propozuar për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Diplomati sllovak dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun  vlerësoi se Vuçiq në bisedë “tregoi një qasje të përgjegjshme” dhe “gatishmëri për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë”.

Çfarë po kërkon opozita nga Vuçiç?

Deklarata e Vuçiqit, megjithatë, nuk i pëlqen opozitës së spektrit konservator-djatht të skenës politike në Serbi, e cila e akuzon atë se ka pranuar propozimin pa pëlqimin e parlamentit shtetëror dhe kërkon që ai t’i shpjegojë parlamentit me “çfarë rreziqesh dhe sfidash mund të përballet vendi”.

Lëvizja ekstremiste e djathtë Dveri thotë se gjëja më problematike është se askush nuk e di nëse propozimi i Pesëshes Perëndimore është “de fakto dhe një ultimatum”, dhe nëse është – “pse Vuçiq pranoi ta diskutonte në radhë të parë”. Dveri kërkon që dialogu për Kosovën të ngrihet deri në fund të luftës ruso-ukrainase dhe thotë se deri atëherë “asgjë nuk duhet të nënshkruhet”.

Koalicioni konservator-mbretëtar NADA kërkon që Vuçiq të informojë urgjentisht qytetarët serbë për përmbajtjen e propozimit franko-gjerman, i cili është bërë edhe propozim i Bashkimit Evropian, sepse “fati i shtetit nuk mund të negociohet fshehurazi dhe pa popullin serb. “

Ata kërkojnë nga Vuçiq të përgjigjet se në bazë të cilave autoritete dhe vendime të organeve kompetente e ka marrë obligimin dhe ka theksuar gatishmërinë që Serbia ta pranojë konceptin dhe të punojë në zbatimin e asaj marrëveshjeje.

Partia Popullore e Vuk Jeremiqit vlerësoi sot se “Vuçiq po përgatit opinionin për kapitullim duke pranuar konceptin dhe zbatimin e marrëveshjes për Kosovën”, që sipas saj nënkupton se Serbia pajtohet me barazinë në hapësirën ndërkombëtare me Kosovën e pavarur.

Në të njëjtën kohë, Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës (LSV) kërkoi që Vuçiq të pranojë sa më shpejt marrëveshjen për marrëdhëniet e ndërsjella ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Vuçiq duhet të ndalojë së luajturi me të ardhmen e Serbisë dhe qytetarëve të saj me politikë të pavendosur dhe duhet ta shpëtojë Serbinë nga sanksionet e reja, rënia ekonomike dhe shkatërrimi”, njoftoi LSV.

Presidenti i LSV-së, Bojan Kostresh, i cili pasoi Nenad Çanakun në krye të partisë, theksoi në një deklaratë për shtyp se “Serbia nuk ka nevojë për izolim dhe sanksione të reja, por për përparim dhe bashkëpunim” dhe se “e vetmja mënyrë për të zhvilluar dhe modernizuar Serbinë është të bashkohu me Bashkimin Evropian”.

Pesëshja diplomatike, në të cilën, së bashku me Lajçakun, i dërguari amerikan Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit e Francës Emmanuel Bonne, Gjermanisë Jens Plötner dhe për herë të parë një i dërguar italian, Francesco Talo, u takuan me Vuçiqin të premten pas një takimi të mëparshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë.

Dokumenti ka qasje të barabartë për palët, por nuk flitet për njohje reciproke

Vuçiq u tha gazetarëve se ai shfaqi të gjithë shqetësimin dhe rezervat për një çështje të rëndësishme, por nuk specifikoi se çfarë ishte, duke këmbëngulur se ai nuk mund të flasë për të sepse plani nuk është publik.

Radio Evropa e Lirë njoftoi, duke iu referuar planit të BE-së në të cilin kishte akses më parë, se dokumenti ka qasje të barabartë me palët dhe parashikon respektimin e integritetit territorial, paprekshmërinë e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe një marrëveshje të veçantë për komuniteti serb në Kosovë.

Sipas REL, dokumenti nuk përmend në mënyrë eksplicite njohjen reciproke apo anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara – për të cilën Kosova insiston.

Megjithatë, dokumenti përmend mbështetjen që të dyja palët duhet t’i ofrojnë njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane, ndërsa nga Serbia kërkohet që të mos ndërhyjë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

 

Advertisement