Connect with us

Kosova

Rruga e shpëtimit e Albin Kurtit

Kryeministri Albin Kurti duket se ka gjetur formulimin e duhur për ta kaluar Asociacionin me arritjen e marrëveshjes Kosovë -Serbi mbi bazën e planit franko -gjerman.

Sipas kreut të LDK’së Lumir Abdixhiku, Kurti si “njohje reciproke” do konsiderojë marrëveshjen dhe veçmas nenin 2 të saj ku flitet se “të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve”.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një lëvizje duke formuluar 6 kushte për themelimin e Asociacionit, një mekanizëm që po e përplas me Perëndimin e veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë marrë përsipër ta çojnë përpara implementimin.

Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kurti ka bërë një truk me këtë pikë. Ata thonë se ai e ka pranuar Asociacionin dhe se zbatimi i tij do të bëhet pasi Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshjen mbi planin franko – gjerman, të cilin Kurti do ta interpretojë si njohje reciproke mes dy vendeve.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, gjatë një interviste ka thënë se pikërisht me pikën e pestë Kurti i ka çelur dyert Asociacionit, që e ka kundërshtuar kaq gjatë. Megjithatë mbetet të shihet nëse ky interpretim i LDK’së dhe partive opozitare është i saktë. Sipas të gjitha gjasave kjo do të kuptohet shumë shpejtë, pasi Perëndimi është duke insistuar që gjithçka të zhvillohet me një dinamikë të madhe.

Advertisement

TRENDING