Aktualitet
Stuhi dhe ujëra të rrëmbyeshëm në Elbasan, vështirësi në akset kombëtare
Reshje të dendura shiu kanë përfshirë qytetin e Elbasanit dhe zona të ndryshme të qarkut, duke shkaktuar grumbullime uji dhe vështirësi në qarkullim.
Si pasojë e reshjeve intensive, disa prej rrugëve të qytetit janë mbuluar nga uji, ndërsa në zona të caktuara janë përmbytur edhe trotuaret, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve.
Probleme janë raportuar edhe për automjetet, pasi ujërat e grumbulluara kanë ngadalësuar qarkullimin dhe kanë krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve.
Situata paraqitet problematike edhe në disa prej akseve rrugore kombëtare që lidhin Elbasanin me qytetet e tjera. Në segmente të caktuara janë konstatuar rrjedhje të ujit dhe prani inertesh të sjella nga reshjet, duke rritur rrezikun për përdoruesit e rrugës.