Bota
Tërmeti shkatërrues, rëndohet bilanci i viktimave
Po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë.
Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.
Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
Shtetet në mbarë botën kanë thënë se do të dërgojnë ekipe për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, por deri më tani vetëm pak ekipe kanë arritur në vendngjarje.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ftohta dhe nga afër 200 dridhje pasuese të tokës, që kanë bërë të rrezikshme kërkimet në strukturat e paqëndrueshme.
Të paktën 2.921 persona janë vrarë në dhjetë provincat turke, ndërkaq mbi 20.000 të tjerë janë plagosur, kanë thënë autoritetet turke.