Aktualitet
Vrau 3 gra, familjarët e Dan Hutrës kërkojnë mbrojtje
Vrasja e 3 grave dhe plagosja e 3 të tjerave nga Dan Hutra ka rrezik të nisë një histori hakmarrje që nuk kursen as femrat. Nisur nga disa video të shpërndara në rrjetet sociale nga familjarë të familjes Hysa ku shprehen se gjaku i vajzës Mevlutes dhe nuses Hasimes duhet të paguhet, të afërm të Dan Hutës kanë kërkuar në Policinë e Tiranës mbrojtje.
Motra 53-vjeçare e Dan Hutrës e cila banon në Sauk së bashku me të birin 29 vjeç kanë shprehur në polici pasigurinë e tyre për jetën pas vrasjeve të kryera nga Dan Hutra. Ata i druhen hakmarrjes për shkak të lidhjes së gjakut.
Përpara togave të zeza ku u njoh me masën e sigurisë burg pa afat, një ditë më parë, Dan Hutra nuk shprehu asnjë pendesë për krimet e kryera. Hutra tregoi në gjykatë se skenarin e përgatiti teksa ishte në burg së fundmi, për dhunë në familje ndaj ish-bashkëjetueses, akuzë të cilën nuk e pranoi. Sipas tij ky burgim i padrejtë e bëri të hakmerrej duke qëlluar me breshëri drejt familjes Hysa.
3 vrasjet e Dan Hutrës- Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi Elenën dhe nënën e saj, Kujtimen.Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. 31-vjeçaren e vrau në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte gjatë kohës që kishte qenë në burg. Arratia e Dan Hutrës mori fund gjatë orëve të pasdites. Pa shkuar ende ora 19:00, ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës.Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën, tentativë që fatmirësisht dështoi. 40-vjeçari, një person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje, nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.