Connect with us

Rajon

Escobar takon sot Vuçiçin dhe Bërnabiçin, çfarë pritet të diskutohet

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të qëndrojë sot për vizitë në Beograd, ku pritet të zhvillojë takime të ndara me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe me kryeministren Ana Bërnabiç.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Beograd vjen dy ditë para rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian. Pas Serbisë, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Escobar pritet ta vizitojë edhe Kosovën.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi “është marrëveshja më e mirë në dispozicion” që do të çojë në njohje të ndërsjellë midis dy vendeve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme. Para Escobarit, në Prishtinë dhe Beograd ka qëndruar edhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Nga Beogradi ai tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kushti kryesor për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje më 2013 dhe 2015. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja e po atij viti nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se mund të harmonizohet.

 

 

Kurti është shprehur kundër një asociacioni një-etnik, me kompetenca ekzekutive. Por, më 13 mars, ai pranoi se Kosova është duke trajtuar 15 modelet e ofruar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin, në mënyrë që “ne do të mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur edhe në vendin tonë”.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që ta krijojë Asociacionin, Si Uashingtoni, ashtu edhe Brukseli janë shprehur kundër krijimit të një asociacionin që do t’i ngjasonte Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu siç ka shprehur droje Kurti.

Në propozimin evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve. Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Advertisement