Connect with us

Aktualitet

‘Gjiganti fluturoi në Valsin e Perjetësisë’ – Shuhet në moshën 92-vjeçare kompozitori Avni Mula

Kompozitori i njohur shqiptar, Avni Mula ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme (29 tetor). Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vajza e tij, Ina Mula në rrjetet sociale.

Ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e nesërme (30 tetor) në orën 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë.

Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik.

Karrierën artistike e nisi pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.

Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës.

Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.

Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Për ndarjen nga jeta të kompozitorit Avni Mula kanë reaguar kryeministri Rama si dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Veliaj përmes një postimi në Facebook shkruan se Shqipëria ka humbur një nga pasuritë më të mëdha njerëzore dhe artistike për të cilin do të jemi gjithmonë mirënjohës.

“Fort i trishtueshëm lajmi i ndarjes nga jeta i Avni Mulës, një nga pasuritë më të mëdha njerëzore dhe artistike të kombit tonë. Arti shqiptar do t’i jetë ngahera mirënjohës për veprën e çmuar që la pas! Ngushëllime Invës për humbjen e babait, emrin e të cilit Tirana e nderoi me sallën e koncerteve “Avni Mula” në rrugën e Dibrës për t’u kujtuar nga gjithë brezat” – shkruan Veliaj.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *