Politike
Pamjet e dhunës shqetësojnë Koçiun: Asnjë betejë politike mbi jetën e të rinjve
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e tretë. Ajo ka theksuar se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin kërkesat e tyre, por kundërshtoi përfshirjen e tyre në akte dhune.
Koçiu u shpreh se pamjet e përplasjeve në rrugët e kryeqytetit janë shqetësuese, veçanërisht për shkak të pranisë së të rinjve dhe të miturve. Sipas saj, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve duhet të jenë shqetësim i përbashkët, pavarësisht bindjeve politike.
“Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehen dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Por askush nuk duhet t’i përfshijë në dhunë apo t’i përdorë për beteja politike”, shkruan zëvendëskryeministrja.
Në reagimin e saj, Koçiu theksoi se asnjë përballje politike nuk duhet të vendoset mbi jetën dhe sigurinë e të rinjve. Ajo nënvizoi gjithashtu shqetësimin e prindërve për sigurinë e fëmijëve të tyre, duke bërë thirrje që situata të mos përshkallëzohet më tej.