Connect with us

Shkrime

Me dyqind petrita vulëhumbur

Nga Meri Lika

Në murin tim në Facebook dje publikova një status të Agron Gjekmarkajt në të cilin ai iu kërkonte 200 petritave pengëmarrës të vulës dhe simboleve të Partisë Demokratike që t’i dorëzonin ato tek i zoti. Në shkrimin e tij nuk kishte pendim për dëmin që ky grupim i vockël i bëri partisë më të madhe opozitare por herë duke rënë në batakun e “fajin e ka Saliu” e herë duke u inatosur me veten se përse kishte zgjedhur anën e gabuar që nuk i solli sukses, ai deklaronte disa të vërteta se “sot “Vula” ka më shumë forume se anëtarë”, se “jjë parti politike që nuk merr pjesë në zgjedhje nuk duhet të ekzistojë”, se “një parti që nuk gjen kandidatë duhet ta ulë qepenin” apo se vulistët duhet ta lirojnë “robinjën vulë” dhe ta çojnë tek i zoti.

Disa miq me të drejtë, më kritikuan duke më treguar se shkrimi ishte me shumë helm, se nuk ishte pendim po thjesht propagandë, etj dhe më këshilluan ta heq postimin por unë nuk e bëra, jo se jam kokëfortë por sepse ai shkrim, pavarësisht helmit që kishte brenda, tregonte të vërtetat e grupimit që dje nxorri si kandidat të saj për kryeqytetin e Shqipërisë një gjirokastrit që jeton tangent në Tiranë.

Në fakt unë e lexoj ndryshe shkrimin, unë lexoj dëshpërimin e humbësit i cili e justifikon dështimin duke sulmuar fituesin (këto paragrafe mua më bëjnë të qesh), por që në të njëjtën kohë tregon se si copëza e papërfillshme e partisë kishte endërruar e pritur që gjërat t’iu vinin nga qielli.

Unë disa herë kam thënë se po të isha në vendin e këtyre lulisto-bashistësve do t’ia dorëzoja vulën antarësisë, e do t’i jepja mundësinë pjesës më të madhe të partisë të dilte në fushëbetejë me pushtetin, në zgjedhjet vendore por edhe në zgjedhjet e përgjithshme e nëse nuk do kishte fitore të zbatohej statuti e pastaj brenda partisë të vendoste gara.

Nuk kam pritur që Alibeaj alias Basha të më dëgjonin mua, as që e kam menduar se kjo gjë do të ndodhte ndonjëherë, por të paktën duhet të kishin dëgjuar pak nga të gjithë dhe të silleshin ndryshe, e para për të mos diskretituar veten dhe e dyta për të mos dëmtuar opozitarizimin dhe demokracinë.

Nëse në jetë, njeriu tregon se nuk ka dinjitet, dëmi më i madhe për të është shmangia që i bëjnë ata që e njohin, por në politikë të mos kesh dinjitet do të thotë të kesh dënuar veten me vdekje, me vdekje politike e kam fjalën.

Sot nuk ka më asnjë vlerë që vula dhe simbolet e partisë më të madhe opozitare, të kthehen atje ku është antarësia që i krijoi ato, sepse pakica që u zhgërrye tavolinave me mish e raki të pushtetit dhe tryezave plot serivilizëm të ambasadave, ua rrëmbyen dhe i kanë detyruar të garojnë në eter.

Partizat që sorollaten korridoreve të politikës, e që me dëshirë bëhen qylym ku të huajt fshijnë këpucët e ndotura me ujërat e zeza të politikës së keqe shqiptare mes së cilës mediokrit e ambasadave shfaqen si dimplomatë të niveleve galatike, por që nuk arrijnë të përfaqësojnë askënd janë të destinuara të vdesin ose të vazhdojnë të zvarranikosen deri në frymën e fundit.

Unë mendoj, se tashmë grupimi me vulë por vulëhumbur që ende vazhdon të qëndrojë si shkarpat mes rrotave të opozitës, është e shkuara e hidhur e Partisë Demokratike, ata janë pika më e ulët e dinjitetit të një politikani, janë etaloni i pazarxhiut të vockël që nuk sheh më tutje se xhepi i tij, janë shija e hidhur për opozitën dhe për votuesin antipushtet, janë njolla e errët e cila nuk mund të fshihet por e sigurt që do të ngelet pas.

 

Advertisement