Connect with us

Aktualitet

Sot Pashkët ortodokse, besimtarët në të gjithë vendin mbushin kishat

Të gjithë besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkët. Në mesnatë, ata kanë mbushur kishat në të gjithë vendin ku kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit. Ceremonia ka zgjatur deri pas mesnatës dhe pas saj, vezët e Pashkës të lyera me të kuqe, me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishterimin ortodoks në mbarë botën.

TRADITAT

Traditë në festën e Pashkëve janë vezët e kuqe. Veza e lyer me të kuqe simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Një tjetër traditë e festës është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.

Gjatë meshës, besimtarët marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.

Marrja e flakës nga Tryeza e Shenjtë që ju jepet besimtarëve simbolizon flakën që del çdo vit nga varri i Krishtit në Jeruzalem ditën e Pashkëve Orthodhokse, flakë e cila merret dhe shpërndahet nëpër kisha të vendeve të ndryshme.

Advertisement