Shkrime
Përplasje në shtëpi/ Brukseli shkakton sherr
Pothuajse pas secilit takim të nivelit të lartë, në Bruksel ku Kosova e Serbia përfaqësohen nga Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçic, shfaqen telashe të reja. “Mollë sherri” ndërmjet palëve kësaj here u bënë mospajtimet për Asociacionin dhe Ekipin Menaxhues, që prezantoi një draft -statut në favor të Serbisë. BE’ja me qëndrim kësaj here ishte në anën e Serbisë, ndërsa Kosova reagoi duke ia numëruar shkeljet Beogradit.
Takimi i fundit në Bruksel, ku Kurti e Vuçiq u dakorduan rreth deklaratës për personat e zhdukur, ka prodhuar telashe të reja politike. Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti serb, mbrëmjen e 2 majit shfaqen mospajtime rreth temës më të nxehtë në raportet dypalëshe – Asociaconit.
Si pasojë, të nesërmen Kurti urdhëroi shkarkimin e Ekipit Menaxhues. Fill pas përfundimit të takimit, Kryeministri publikoi një vizion për Asociacionin, që e kishte prezantuar edhe gjatë takimit. Siç edhe pritej, Kurti nuk e pranoi draftin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilin e hartoi një ekip i padëshiruar prej Kryeministrit, i përbërë prej katër serbëve.
Kryeministri Kurti gjithashtu ka përsëritur se Ekipi Menaxhues e ka përfunduar punën dhe lirimi i tij nga detyra është i natyrshëm.
Kundër shkarkimit të Ekipit Menaxhues ka dalë Serbia, ndërkaq disa pushtetarë në Kosovë kanë akuzuar Zëdhënësin e BE-së, si njëri që po punon kundër Kosovës.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar, të nesërmen pas takimit, ka thënë se pret që brenda dy javësh të ketë takim tjetër mes palëve. Ai e shihte si progres që Kryeministri Kurti, më në fund, kishte një vizion se si duhet të duket Asociacioni.
Gjithsesi nuk është konfirmuar ndonjë takim i radhës mes palëve, por Qeveria e Kosovës, ndërkohë, ka publikuar të gjitha shkeljet e Marrëveshjes Bazë, që, sipas saj, i ka bërë Serbia. Ndërsa takimi në nivel të kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq pritet diku rreth datës 20 maj.
Ndër pikat që ka theksuar Qeveria si shkelje nga ana e Serbisë ka qenë votimi kundër pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës më 24 prill, përkundër nenit 4 të Marrëveshjes, që thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.