Connect with us

Politike

Veliaj drejt lirimit/ Kreshnik Spahiu zbulon skenarin që mund t’i ndryshojë gjithçka

Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se Gjykata e Lartë mund të zëvendësojë masat e “arrestit me burg” me masa më të lehta sigurie për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-presidentin Ilir Meta.

Spahiu e cilësoi si të paprecedentë situatën e Veliajt, i cili vijon të ushtrojë funksionet e kryebashkiakut ndërsa ndodhet në paraburgim.

Sipas tij, nëse shkeljet procedurale të pretenduara janë të provuara, ato mund të përdoren si argument edhe për një kërkesë të mundshme në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Nëse realisht janë shkelje që janë të bazuara dhe të provuara, këto përbëjnë një bazë të mirë të argumentuar që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut t’i japë mundësinë Veliajt, kur të parashtrojë kërkesën në këtë gjykatë, që janë shkelur të drejtat e njeriut dhe të bjerë masa e sigurimit”, tha Spahiu.

Ai argumentoi gjithashtu se, me përfundimin e hetimit, rreziku që Veliaj të dëmtojë provat është më i ulët.

“Hetimi ka mbaruar, është shumë e vështirë që provat që janë administruar të asgjësohen nga Veliaj”, u shpreh juristi.

Spahiu theksoi se Gjykata Kushtetuese e ka lënë Veliajn në detyrë dhe se kryebashkiaku vijon të ushtrojë funksionet e tij edhe nga paraburgimi.

Sipas tij, Gjykata e Lartë duhet të marrë në konsideratë edhe vendimet e Kolegjeve të Bashkuara për masat e sigurisë.

“Kjo mbetet vetëm një masë represive pa argument”, deklaroi Spahiu, duke e cilësuar çështjen e Veliajt dhe Metës si raste me impakt të lartë publik.

Ai paralajmëroi se, nëse situata vazhdon me të njëjtin ritëm, koha e paraburgimit për Veliajn dhe Metën mund të zgjatet ndjeshëm, duke ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin e masave të sigurisë.

Advertisement