Connect with us

Aktualitet

‘Kush është më i fortë’/ Nxënësit rrëfejnë momentin e sherrit: Policia u vonua shumë

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini” ku ndodhi vrasja këtë mesditë kanë treguar se si nisi sherri mes adoleshentëve. Njëri prej tyre thotë se 15-vjeçari Fatjon Bici që mbeti i vrarë ka hyrë të shuajë sherrin mes kushëririt të tij dhe tre të tjerëve. Një tjetër thotë që sherri është parë nga shumë persona, por askush nuk ka ndërhyrë. Sipas një nxënëseje, policia gjithashtu ka mbërritur shumë vonë.

Pjesë nga prononcimet:

Nxënësi i parë: Ata të dy ishin kushërinj, janë të dy tek shkolla jonë në klasë të 9-të. Ka ndodh për shkak të rjeteve sociale, kush është më i fortë dhe kush është më i dobët.

Nxënësja e dytë: I njihja të dy djemtë dhe u tremba shumë. Më duket se kanë ftuar njëri-tjetrin për sherr dhe kanë përfunduar këtu pastaj. Ngjarje të tilla ka pasur shumë, jo duke përfunduar kështu por ka pasur. Këto ndodhin se vetë djemtë duan të mburren kush është më i fortë dhe pastaj ndodhin konflikte.

Nxënësja e dytë: Mesa mora vesh i kishin parë shumë veta dhe nuk ndërhynë. Dhe policia erdhi shumë vonë. Mesa mora vesh u bë për një lojë në rrjetet sociale.

Një sherr me thika mes disa adoleshentëve në Gramsh, ka sjellë një bilanc tragjik me vdekjen e një 15-vjeçari, nxënës në klasën e nëntë. Viktima është Fatjon Bici. Ngjarja ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini”. I plagosur ka mbetur edhe një 15-vjeçar tjetër, Marko Liçi, i cili është në spital jashtë rrezikut për jetën. Viktima dhe i plagosuri janë kushërinj dhe janë përleshur me katër adoleshentë të tjerë për një sherr të nisur pak ditë më parë në rrjetet sociale. Katër të tjerë janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje, mes tyre dhe autori.

Advertisement