Connect with us

Bota

FOTO/ Gjendet i vdekur pranë majës së Himalajeve alpinisti i njohur

Trupi është gjetur në majën Kanchenjunga, pesë ditë pasi ai ishte zhdukur pas arritjes së majës dhe nisjes së zbritjes.

Një alpinist dhe skiator ekstrem i njohur nga Gjermania, është gjetur dje fatkeqësisht i vdekur në malin e tretë më të lartë të botës në Himalaje, pesë ditë pasi ishin ndërprerë kontaktet me të.

Trupi i Luis Stitzinger u zbulua dje në majën Kanchenjunga në lartësinë 8,400 metra, njoftonte për rrjetin Himalayan Times kreu i kompanisë së tij Sherpa, organizatore e ngjitjeve alpiniste.

54 vjeçari Stitzinger, ishte bërë i njohur në skenën e sporteve të ngjitjes edhe me zbritjet e spektakolare me ski. Ai raportohet se kishte arritur majën Kanchenjunga pa bombula shtesë oksigjeni apo ndihmën e guidave lokale.

Ngjitja e tij kishte nisur pasditen e një jave më parë nga kampi në lartësi 7,600 metra, dhe kishte arritur majën për 24 orë.

Stitzinger planifikonte të kthehej në kamp duke rrëshkitur me ski por nuk u kthye kurrë dhe nuk mund të gjurmohej me rrjetin GPS. Prej kushteve ekstreme të motit në majë, grupet e shpëtimit u nisën drejt tij vetëm katër ditë më vonë.

Në faqen e tij të internetit thuhet se alpinisti nga Bavaria kishte ngjitur shtatë nga 14 majat mbi 8,000 metra të Himalajeve dhe nga secila ishte kthyer duke rrëshkitur me ski në terrenin e vështirë.

Koleget e përshkruanin Stitzinger si një alpinist të kujdesshëm e të sprovuar dhe ishte nga më të kërkuarit si guidë sportive.

Stitzinger ka kryer shumë nga ekspeditat e tij me bashkëshorten Alix von Melle, e cila drejton grupe femrash alpiniste gjermane në Himalaje. Në vitin 2015, të dy ata publikuan një libër mbi pasionin për alpinizmin.

“Nuk ngjitem në mal sepse dua të thyej një rekord, për mua vlen vetëm eksperienca e natyrës dhe fizikalitetit”, kishte thënë Stitzinger për Die Welt në 2007. “Kjo është më intensive kur trupi është i nxehur ne maksimum.”

Advertisement