Connect with us

Kronike

Falsifikonin pasaporta diplomatike, vihen në pranga dy persona

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët me partnerët amerikanë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve nëpërmjet pasaportave të falsifikuara. Operaconi policor i koduar “PBF”, pas një hetimi proaktiv të zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield” pranë ambasadës amerikane në Shqipëri, Policinë Kufitare të Rinasit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Zbulohet dhe goditet një rrjet i falsifikimit të pasaportave diplomatike, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve drejt SHBA-së.

Gjatë operacionit janë arrestuar 2 shtetas dhe janë në hetim disa shtetas të tjerë. Hetimi vijon në bashkëpunim me agjencitë partnere, për dokumentimin e përfshirjes në këtë veprimtari kriminale, të subjekteve të tjera nga vendet fqinje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, në muajin prill të vitit 2023, kanë arrestuar shtetasen shqiptare D. I., 56 vjeçe, në tentativë për të udhëtuar drejt SHBA-së, me një pasaportë diplomatike false, për të cilën pretendonte se ishte e lëshuar nga një OJF e njohur me emrin “PBF”, me seli jashtë teritorit të Republikës së Shqipërisë.

Pas hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë, janë identifikuar disa shtetas të dyshuar si të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave dhe dokumenteve të tjera. Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me mbështetje nga agjencia federale DSS/OCI pranë ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, ka kryer veprime hetimore në kuadër të procedimit penal, duke përdorur metoda speciale ligjore, në kohë dhe në vende të ndryshme, kryesisht në qarkun e Korçës, në lidhje me trafikimin e shtetasve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga hetimi janë grumbulluar prova për të paktën 4 shtetas shqiptarë të dyshuar të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të falsifikimit të dokumenteve. Në bazë të hetimeve të kryera, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka nxjerrë vendimet për ekzekutimin e urdhrave të arrestit për 2 shtetas të dyshuar, si dhe për kontrollin e 4 banesave dhe ambienteve të tjera. Gjatë operacionit të përbashkët me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë arrestuar shtetasit D. M. dhe G. P., të dy banues në Korçë. Për shtetasin G. P., Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shkak të moshës.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme. Kontrolle të autorizuara janë ushtruar edhe në subjekte të tjera të dyshuara të përfshira në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe të falsifikimit të dokumenteve. Hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë.

Advertisement