Ekonomi
14 fëmijë do të akomodohen në shkollat e reja, brenda këtij viti hapen 37 objekte arsimore të rindërtuara
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se procesi i Rindërtimit të objekteve arsimore rezulton pozitiv, ku programi do të akomodojë 14 mijë fëmijë dhe në 26 nëntor do hapin dyert pjesa e parë e shkollave që janë financuar drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.
Në konferencën e përjavshme për shtyp ku sot foli për impaktin e programit të Rindërtimit në ekonomi dhe punësim, Kryeministri Rama informoi se një pjesë e rindërtimit të shkollave do të mbulohen me financimet e Komisionit Europian dhe procesi është drejt fundit nga pikëpamja e të gjithë kontratave. Së shpejti, u shpreh ai, do të jemi në hapjen e themeleve edhe për pjesën tjetër të shkollave.
“Brenda këtij viti do të jenë të rindërtuara 37 objekte arsimore për të cilat do të shpenzohen 40 milionë dollarë nga buxheti i shtetit. Me projektet e shkollave e kopshteve jemi në një fazë të avancuar dhe mund të themi se kemi kryer pak a shumë 60% deri tani të punëve të parashikuara, ndërsa për infrastruktrën jemi në 30% të punimeve ndërtimore”,- theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “mbetet nevoja për t’i kërkuar familjeve edhe pak durim”.
“Mos të harrojë askush që procesi i Rindërtimit ka pasur një pengesë të madhe të krijuar nga karantina e përgjithshme. Ky proces ka edhe një aspekt tjetër që lidhet me donatorët, me të cilët natyrisht kemi ecur më ngadalë se me fondet e buxhetit të shtetit për arsye të procedurave të tyre administrative, të cilat duhet t’i respektojmë deri në fund, sepse siç e kam shpjeguar disa herë donatorët nuk japin fonde të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit e as nuk ia lënë qeverisë shqiptare”, u shpreh Rama.
/ATSH/