Connect with us

Aktualitet

Pastërtia e figurës së zyrtarëve, Kuvendi: Institucionet të bëjnë riverifikim të certifikatave

Institucioneve publike dhe atyre kushtetuese u është kërkuar të bëjnë riverifikim të pastërtisë së figurës për zyrtarët e pajisur më parë me certifikatë pastërtie. Kuadri ligjor përcakton se institucionet i dërgojnë kërkesa Autoritetit të Dosjeve duke eliminuar kështu mundësinë që persona që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit, të jenë në administratë.

Në rezolutën që Kuvendi miratoi pak ditë më parë për Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kërkohet specifikisht në pikën e dytë ky riverifikim.

“Autoriteti të raportojë për përfundimet dhe pengesat ligjore që ka hasur Autoriteti gjatë zbatimit të ligjit nr. 45/2015 lidhur me verifikimin e figurave të zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie figure. Pas ndryshimeve ligjore që sollën shfuqizimin e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, Autoriteti të bashkëpunojë me institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, me qëllim që t’i drejtohen Autoritetit me kërkesë për riverifikim të figurës së zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie”, thuhet në rezolutë.

Ndërkohë është kërkuar gjithashtu që ky institucion të vijojë punën me ndërtimin e databazës së detajuar për personat e zhdukur, e cila do të shërbejë si Regjistër i Personave të Zhdukur për nisjen e procesit të identifikimit dhe rikuperimit, si dhe për krijimin e databazës së ADN-së së të afërmve të personave të zhdukur.

Në një tjetër pikë autoritetit i kërkohet që të vijojë me informimin e studiuesve dhe mediave të interesuara për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe garantimin e shqyrtimit dhe dorëzimin e dublikatave të tyre te kërkuesi brenda afateve kohore të përcaktuara në aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit organik nr. 45/2015 i ndryshuar.

Pika pesë e rezolutës ndalet në sistemimin dhe vijimin e procesit të digjitalizimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të mbledhura nga institucionet arkivore në vend në arkivin e vetëm të Autoritetit. Po kështu të përmirësojë procedurat e brendshme për trajtimin e kërkesave individuale, institucionale, studimore dhe qytetare, me qëllim shkurtimin e afateve kohore të shërbimit të dokumentacionit.

Në fund është kërkuar që Autoriteti të bashkëpunojë me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri dhe t’i krijojë lehtësira në punën e tij për të përmbushur detyrimet që burojnë nga neni 5 i ligjit nr. 10 242, datë 25.2.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” në masën dhe për qëllimet që lejon neni 26 i ligjit nr. 45/2015 i ndryshuar. /Monitor

Advertisement