Connect with us

Rajon

Marrëdhënia Turqi-Greqi/ Mitsotakis: Përmirësimi duhet të vijë në mënyrë graduale

Pas rizgjedhjes si kryeministër, Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Qipro nga ku ka folur sërish për marrëdhëniet me Turqinë. Në konferencën e përbashkët me presidentin Hristodhulidhis, kryeministri grek tha se duhet përqafuar përmirësimi i marrëdhënieve me Turqinë, ndërsa sipas tij duhet të bëhet në mënyrë graduale.

“Përmirësimi i dukshëm në marrëdhëniet greko-turke dhe euro-turke është një mundësi që duhet ta përqafojmë, me kusht, dhe dua të nënvizoj këto dy fjalë të cilave u referua presidenti – që të jetë gradual dhe jo i pakushtëzuar. Këto janë dy fjalët që do të veprojnë si udhërrëfyes në këtë përpjekje të re, pasi mund të jemi optimistë, por njëkohësisht nuk jemi naivë.”- tha Mitsotakis.

Mitsotakis tha se përmirësimi i marrëdhënieve BE-Turqi nuk mund të përjashtojë çështjen e Qipros.

“Presidenti Erdogan e pranon dhe unë ia kam përcjellë sërish mesazhin se një përmirësim i dukshëm në marrëdhëniet euro-turke nuk mund të përjashtojë çështjen e Qipros.”-shtoi Mitsotakis.

Kjo deklaratë nga Mitsotakis vjen pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian që thanë se janë gati të riangazhohen në marrëdhëniet më Turqinë, por nuk u premtojnë Ankarasë një rifillim të qartë të bisedimeve të anëtarësimit.

Turqia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE por bisedimet ngrinë në vitin 2016 pas shqetësimeve nga Brukseli për problemet me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut në vend, po ashtu edhe nga çështja e ndarjes së Qipros, që ka sjellë edhe ‘përplasjet’ Turqi-Greqi.

Advertisement