Connect with us

Aktualitet

Shpërthen biznesi i airbnb, Vlora sfidon Tiranën, ja ku turistët po sjellin milionat

Tregu i qiradhënies afatshkurtër në Shqipëri po zgjerohet përtej destinacioneve tradicionale, ndërsa diferencat mes qyteteve po bëhen gjithnjë e më të dukshme sa i përket kërkesës, çmimeve dhe të ardhurave.

Tirana vijon të jetë tregu më i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, e mbështetur nga turizmi, udhëtimet për biznes, eventet dhe vizitat e shkurtra. Por në muajt e verës, qytetet bregdetare marrin një avantazh të fortë, falë rritjes së kërkesës dhe tarifave ditore.

Sipas të dhënave të AirDNA, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, në Shqipëri ishin të listuara rreth 27.7 mijë njësi banimi për qira afatshkurtër. Pjesën më të madhe e zinte zona Vlorë–Sarandë, me rreth 10.2 mijë njësi, ose 37% të totalit.

Tirana renditej e dyta me rreth 5.5 mijë apartamente, ndërsa Durrësi dhe Golemi së bashku kishin rreth 6 mijë njësi. Shkodra po shfaq gjithashtu një rritje të ndjeshme, me rreth 1.4 mijë apartamente të listuara.

Sa i përket kërkesës, Tirana mbetet qyteti më i qëndrueshëm. Gjatë 6-mujorit të parë regjistroi mesatarisht rreth 63 mijë net-qëndrime në muaj.

Por në qershor, situata ndryshoi. Vlora kaloi në krye me më shumë se 110 mijë net-qëndrime, ndërsa Durrësi arriti në mbi 43 mijë. Rritje të fortë shënuan edhe Golemi dhe Shëngjini, me afrimin e sezonit të plazhit.

Edhe të ardhurat tregojnë një konkurrencë të fortë mes kryeqytetit dhe bregdetit. Tirana gjeneroi rreth 16.3 milionë euro gjatë 6-mujorit të parë, ndërsa Vlora iu afrua me rreth 15.5 milionë euro. Durrësi regjistroi rreth 7.7 milionë euro.

Në tarifat ditore, avantazhi kalon më qartë te bregdeti. Golemi kishte çmimin mesatar më të lartë, rreth 51.3 euro nata, i ndjekur nga Durrësi me 49.4 euro dhe Vlora me 48 euro. Tirana ishte më poshtë, me rreth 42.4 euro.

Në qershor diferenca u thellua edhe më shumë. Një natë kushtonte mesatarisht rreth 76 euro në Durrës, 75 euro në Vlorë dhe 72 euro në Golem, ndërsa në Tiranë çmimi ishte rreth 47 euro.

Por çmimi i natës nuk është treguesi i vetëm i fitimit. Norma e zënies së apartamentit është vendimtare për të ardhurat reale.

Në 6-mujorin e parë, Vlora kishte të ardhurën mesatare ditore të përshtatur me zënien prej rreth 27.7 euro, Durrësi 26.6 euro dhe Tirana 25.5 euro.

Nëse kjo shifër shumëzohet me 30 ditë, një apartament mesatar mund të gjenerojë rreth 830 euro në muaj në Vlorë, 800 euro në Durrës dhe 765 euro në Tiranë. Në Shkodër shifra ishte rreth 620 euro, në Shëngjin 510 euro dhe në Korçë rreth 410 euro.

Në qershor, me shpërthimin e sezonit, të ardhurat u rritën ndjeshëm. Vlora arriti rreth 46.5 euro të ardhura të përshtatura për ditë, që përkthehen në rreth 1,400 euro në muaj. Durrësi arriti rreth 1,380 euro, ndërsa Golemi rreth 1,260 euro.

Megjithatë, këto shifra nuk përfaqësojnë fitimin përfundimtar të pronarit. Nga të ardhurat duhet të zbriten kostot e pastrimit, mirëmbajtjes, energjisë, taksave, komisioneve të platformave dhe administrimit.

Të dhënat tregojnë kështu dy modele të ndryshme: Tirana ofron qëndrueshmëri gjatë gjithë vitit, ndërsa bregdeti ofron potencial më të madh fitimi gjatë sezonit të verës.

Advertisement