Connect with us

Kronike

Qindra të arrestuar, Policia e Shtetit bën bilancin e muajit korrik

Policia e Shtetit ka publikuar bilancin për muajin korrik, gjatë të cilit u zhvilluan kontrolle dhe aksione të shumta në kuadër të sezonit turistik.

Gjatë këtij muaji janë vënë në pranga 705 autorë për vepra të ndryshme penale dhe janë ndëshkuar zaptuesit e plazheve dhe drejtuesit e mjeteve lundruese.

Gjatë muajit korrik, Policia ka zhvilluar kontrolle të shumta përgjatë bregdetit, me qëllim sigurinë e pushuesve dhe gotijtjen e paligjshmërve.
Prania e shërbimeve të Policisë, në të gjitha pikat turistike të vendit, ka gjeneruar rend, siguri, shtim të vizitorëve nga e gjithë bota dhe mirënjohje të qytetarëve dhe turistëve për punën e Policisë së Shtetit.

Njoftimi i policisë:

Në këtë kuadër, gjatë këtij muaji:

-Në 22 raste, dhjetëra turistëve vendas dhe të huaj iu është dhënë ndihmë, pasi kishin mbetur të bllokuar në det ose në terrene të thepisura malore;

-196 mjete lundruese janë konstatuar në paligjshmëri, në liqenin e Komanit dhe në hapësira të tjera ujore në juridiksionin e dvkm-ve Vlorë dhe Durrës. 4 korridore për kalimin e mjeteve lundruese, të ndërtuara ilegalisht, u prishën në Velipojë. Autorët e këtyre paligjshmërive u ndëshkuan administrativisht, konform ligjeve;

-28 subjekte janë ndëshkuar në plazhet e Vlorës dhe Durrësit, si dhe pranë liqenit të Pogradecit, pasi kishin pushtuar pa të drejtë hapësirën publike, për vendosjen e 2359 çadrave dhe shezlongëve (të cilat u sekuestruan nga Policia), për vendparkim automjetesh ose për kryerjen e aktiviteteve të tjera fitimprurëse;

-Në 23 subjekte pranë qendrave të banuara u konstatua muzikë tej orarit të përcaktuar. Pronarët u proceduan penalisht, ndërsa pajisjet muzikore u sekuestruan për të parandaluar shqetësimin e mëtejshëm të pushuesve.

-52 raste të ndërtimeve pa leje, në plazhe për qëllime përfitimi, si dhe brenda vijës së verdhë në qytete, u goditën nga strukturat e Policisë në qarqe.

-Policia ka ndërhyrë menjëherë për 18 raste zjarrvënieje, të kryera me dashje apo nga pakujdesia, në disa qarqe të vendit. Hetimet e zhvilluara për këto raste kanë rezultuar me identifikimin dhe procedimin penal (arrestimin, në rastet e zjarrvënies me dashje) të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Po ashtu janë finalizuar 119 operacione dhe ka vënë në pranga 705 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Nga këto operacione, janë asgjësuar mijëra fidanë dhe bimë kanabisi, si dhe janë sekuestruar 33 armë zjarri, 1 mitraloz i lehtë, 1 granatë, pjesë të armëve të zjarrit, 11 armë gjahu, rreth 2.5 kg kokainë dhe kanabis, si dhe mijëra doza të këtyre lëndëve narkotike.

Janë finalizuar 34 operacione kundër kultivimit të bimëve narkotike në territoret e 7 qarqeve të ndryshme.

-Janë finalizuar 15 operacione të tjera kundër narkotikëve, të cilat goditën transportimin, shitjen dhe tentativën për të trafikuar (në doza, pako dhe sasi) lëndë narkotike kokainë dhe kanabis.

-Janë finalizuar 12 operacione kundër armëmbajtjes pa leje, të cilat rezultuan me sekuestrimin e armëve që i kishin shërbyer apo do t’i shërbenin krimit, që posedoheshin pa leje apo që do të trafikoheshin drejt RMV-së.

-Policia shkatërroi 7 grupe kriminale për krime të rënda kundër personit, shpërndarje të lëndëve narkotike, vjedhje me armë dhe me dhunë, falsifikim dokumentesh në një ambient të improvizuar si laborator, trafikim të mjeteve motorike drejt RMV-së, për mashtrim përmes një subjekti call center ose me qëllim përfitimin nga tatimi TVSH.

Gjithashtu, Policia iu sekuestroi këtyre grupeve, arsenalë armësh, drogë, para, automjete të blinduara, mjete ose pajisje me të cilat kryenin krimet dhe asete të tjera.

Njëri nga këto grupe që kishte kryer disa vrasje dhe kishte siguruar kushtet për kryerjen e disa të tjerave, u shkatërrua si rezultat i operacionit tejet kompleks të koduar “Metamorfoza”.

-6 konflikte dhe ngjarje kriminale që mund të përshkallëzonin ose të kryheshin duke përdorur armë, u parandaluan në Lushnjë, Pogradec, Durrës dhe në Kurbin.

-Në Lushnjë, operacioni “Zinxhiri” zbardhi një vrasje të kryer në vitin 2019, ndërsa operacioni “Pasoja e padëshiruar” zbardhi një tentativë vrasjeje, të kryer më 30 mars të këtij viti.

-Operacionet ndërkombëtare “Rugantino” dhe “Castellon”, arrestuan në vendin tonë 3 shtetas që i fshiheshin autoriteteve të Italisë dhe Spanjës, të cilat i akuzonin si pjesëtarë të 2 organizatave ndërkombëtare për trafikimin e narkotikëve. Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me partnerët britanikë, u arrestua shtetasi i fundit i kërkuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

-14 operacione të finalizuara kundër krimeve ekonomiko-financiare (2 prej tyre të njëpasnjëshme në portin e Durrësit) rezultuan me sekuestrimin e pasurive të paluajtshme me vlerë 10 milionë euro (me burim krimet në fushën e narkotikëve), 146290 eurove, 5548 kilogramëve veshje të kontrabanduara, produkteve ushqimore dhe farmaceutike që shiteshin ilegalisht, si dhe me bllokimin e disa llogarive bankare ku qarkullonin para të gjeneruara në kundërshtim me ligjin.

-U finalizuan 22 operacione kundër vjedhjeve, të cilat parandaluan, goditën menjëherë pas kryerjes apo zbardhën raste të kësaj veprimtarie kriminale, si rezultat i besimit të qytetarëve dhe turistëve që denoncuan menjëherë te Policia e Shtetit.  Operacionet vunë në pranga autorë dhe bashkautorë të këtyre rasteve, si dhe bënë të mundur sekuestrimin e shumave të konsiderueshme të parave dhe sendeve të tjera me vlerë të vjedhura, targave që do t’i shiteshin kontigjentit kriminal, automjeteve të autorëve dhe çelësave të klonuar.

-Policia e Tiranës finalizoi 3 operacione me fokus goditjen e krimeve kompjuterike përmes platformave të ndryshme. Gjithashtu apeloi për qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm për të mos rënë pré e faqeve online që mashtrojnë me qëllim shitjen e produkteve të ndryshme.

-Policia e Gjirokastrës finalizoi 6 operacione për goditjen e transportimit ilegal të dhjetëra emigrantëve, drejt vendeve të BE-së, ndërsa policitë e Korçës dhe të Fierit goditën 3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

-Punonjësit e Stacionit të Policisë Rrogozhinë u angazhuan plotësisht për të siguruar mbarëvajtjen e plotë dhe pa asnjë incident, të zgjedhjeve lokale të zhvilluara në këtë qytet, më datë 23 korrik.

-Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me logjistikë bashkëkohore, kanë qenë prezente gjatë muajit korrik, në të gjitha akset e vendit, me qëllimet e vetme: parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës, gjatë sezonit turistik.

Gjatë këtij muaji, si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:

-Janë vënë në pranga 251 drejtues mjetesh, nga të cilët 122 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 129 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

-Janë pezulluar 584 leje drejtimi, nga të cilat 379 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 138 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 67 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

-Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të e vendit. Kontrollet e bazuara në analizat e riskut, kanë garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe një sezon turistik me standarde të larta sigurie.

-Policia sekuestroi rreth 70000 euro të padeklaruara në pkk-të Port Vlorë, Muriqan dhe Morinë, si dhe inicioi procedim penal për secilin prej poseduesve të këtyre shumave.

-Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar dhe goditur: 36 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin, 7 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 6 raste të kontrabandimit të mallrave për të cilat paguhet akcizë apo që janë të licencuara dhe 2 raste të trafikimit të lëndëve narkotike.

-Seria e operacionit antidrogë “Parts”, nga Policia e Vlorës dhe disa operacione të tjera nga Policia e Durrësit, goditën veprimtarinë kriminale të shpërdarjes së lëndëve narkotike  kokainë dhe kanabis, në lokale në plazhe dhe në lokale nate në qytetet bregdetare.

Policia e Shtetit fton qytetarët për më shumë bashkëpunim, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përmbushen objektivat primarë të Policisë së Shtetit, rritja e parametrave të sigurisë dhe sundimi i ligjit në çdo skaj të vendit.

Në dispozicion të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, janë 24/7, mijëra efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët iu garantojnë reagim të menjëhershëm për çdo denoncim, kallëzim apo kërkesë për ndihmë që do të vijë në numrin pa pagesë 112 ose pranë njësive fizike të Policisë, të pranishme në çdo skaj të vendit.

Kronike

Përplasi për vd*ekje këmbësorin në Sauk, arrestohet shoferi 21-vjeçar

Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi ka përplasur për vdekje një këmbësor.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në rrugën Sauk-Teg. Viktimë e aksidentit mbeti një 40-vjeçar.

“Arrestohet shtetasi 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, në rrugën e vjetër Sauk-Teg, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin, 40 vjeç, i cili si pasojë e aksidentit ka humbur jetën.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Continue Reading

Kronike

EMRI/ I dënuar me 3 vite burg për falsifikim dokumentesh, arrestohet 40-vjeçari

Një 44-vjeçar është arrestuar në Fier pasi akuzohet për falsifikim dokumentesh. Elmir Dashi është arrestuar pasi ai ishte i dënuar me mbi 3 vjet burgim, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. 44-vjeçari në periudhën 2012-2013, kur ka qenë i punësuar në zyrat e kompanisë për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identifikimit, ka falsifikuar dokumentet e  identifikimit të disa personave me precedentë penale, kundrejt përfitimit.

Njoftimi:

Fier/Vijon megaoperacioni i koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim. I dënuar me mbi 3 vjet burgim, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari.

Komisariati i Policisë Fier, në zbatim të planit të masave të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim: Elmir Dashi, 40 vjeç, banues në Fier.

Në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, u bë ndalimi i këtij shtetasi, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 3 vjet, 5 muaj e 1 ditë burgim, për veprën penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Ky shtetas, në periudhën 2012-2013, kur ka qenë i punësuar në zyrat e kompanisë për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identifikimit, ka falsifikuar dokumentet e  identifikimit të disa shtetasve me precedentë penale, kundrejt përfitimit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Continue Reading

Kronike

Vr*asja e Azem Hajdarit/ Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Izet Haxhisë

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e apelit të vitit 2022 që la në fuqi dënimin me 21 vite burg të Izet Haxhisë për vrasjen e deputetit Azem Hajdari në vitin 1998.

Gjyqatët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici kanë rrëzuar rekursin e Izet Haxhisë i cili kërkonte prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave proceduriale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm.

Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006, pasi ishte në listën e të kërkuarve të Interpol Tiranës por më pas kërkoi strehim politik në Turqi, me argumentin se i rrezikohej jeta. Ndërsa në 2018 Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke nisur kështu edhe betejën me drejtësinë shqiptare për Haxhinë, i cili kërkoi edhe dëshminë e Sali Berishës dhe të ish-truprojës së Azem Hajdarit, por asnjë prej tyre nuk u mor parasysh nga gjyqtarët e çështjes.  Për vrasjen u dënua dhe vëllai i Izetit, Ismet Haxhia me 20 vite heqje lirie, por tani e ka kryer dënimin dhe i është rikthyer jetës normale. Ndërsa bashkëpunëtori tjetër Jaho Salihi (Mulosmani) është dënuar me burg përjetë.

Continue Reading

Kronike

U gjet pa jetë në banesë/ Rusi zgjodhi “t’i mbyllë sytë” në Shqipëri, vuante nga…

66-vjeçari rus, që u gjet pa jetë, natën e kaluar, brenda apartamentit të tij në Golem, dyshohet se vdiq për shkaqe shëndetësore.

Nga verifikimet e para të grupit hetimor, ai ishte një pensionist rus që rezultonte dhe i sëmurë me tumor malinj në mëlçi. Vitet e fundit kishte zgjedhur t’i jetonte mes Rusisë dhe Shqipërisë, vendit plot diell ku mbylli dhe sytë. Shtetasi rus kishte leje qëndrimi në vendin tonë. Ai kishte blerë dhe një apartament në Golem, aty ku u gjet pa jetë natën e kaluar.

Rreth orës 22:00 të së shtunës, policia e Kavajës pasi u njoftua se 66-vjeçari rus, i cili jetonte në katin e tretë të një pallati në plazhin e Golemit, nuk përgjigjej prej disa ditësh në telefon, shkoi të verifikonte në adresën e dhënë. Pasi askush nuk iu përgjigj trokitjeve, dera e banesës u hap me forcë, por shtetasi rus u gjet pa shenja jete.

Njoftimi në polici u bë nga një i njohur i shtetasit rus, që ishte kontaktuar dhe nga një e afërme e tij e cila prej 10 ditësh nuk kishte mundur të lidhej me të në telefon.

Hetimet për dokumentin ligjor të shkakut të humbjes së jetës të 66-vjeçarit vazhdojnë, ndërsa pritet që shkaku i vdekjes të përcaktohet zyrtarisht pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore.

Continue Reading

Kronike

Aksident në Sauk, shoferi 21 vjeçar përplas për vdekje kalimtarin

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në Tiranë. Një 21-vjeçar ka përplasur me makinë një 40-vjeçar teksa ky i fundit ishte duke kaluar rrugën. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në Sauk, ndërsa si pasojë 40-vjeçari ka ndërruar jetë. Raportohet se ai është dërguar në spital për ndihmë mjekësore por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 25.05.2024, rreth orës 21:30, në Sauk, mjeti me drejtues shtetasin A. K., 21 vjeç, ka aksidentuar shtetasin H. A., 40 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING