Politike
“Nuk na i kërkon zysha”/ Rama ironizon Brukselin dhe premton anëtarësimin në BE
Kryeministri Edi Rama ka vendosur vitin 2027 si objektivin kryesor të Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gjatë një konference të përbashkët me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos, në Tiranë, Rama deklaroi se qeveria nuk do të lërë asnjë detyrë pa përmbushur.
Me një batutë drejtuar komisioneres, kryeministri tha se reformat nuk bëhen thjesht sepse i kërkon Brukseli, por për të ardhmen e vendit dhe të brezave të rinj.
“Jo se na i kërkon zysha që kam në krah, por sepse na i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë”, u shpreh Rama.
Një tjetër çështje e ngritur ishte ulja e tarifave të roaming-ut për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor. Sipas kryeministrit, synimi është që gjatë vitit 2027 përdoruesit të përfitojnë tarifa të reduktuara, duke shmangur kostot e larta të komunikimit gjatë udhëtimeve në rajon.
Rama foli gjithashtu për investimet në korridoret e transportit, energji dhe rrjetet digjitale, duke i cilësuar ato si elementë kyç për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendeve të rajonit me tregun europian.
Në fund të deklaratës, kryeministri theksoi se Shqipëria nuk kërkon favore apo dhurata nga Bashkimi Europian, por synon të përmbushë të gjitha kriteret për anëtarësim.