Connect with us

Bota

U ekzekutua me 3 plumba, kush ishte Fernando Villavicencio?

Fernando Villavicencio, kandidat për president në Ekuador u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një takimi elektoral në kryeqytet, në një kohë kur dhuna mes bandave gëlon në shtetin Amerikano Jugor. Gjatë fushatës elektorale ai premtoi do të ‘luftonte’ kundër karteleve dhe korrupsionit.

Presidenti Guillermo Lasso konfirmoi vrasjen e Fernando Villavicencio ndërsa shtoi dyshimet se pas ngjarjes fshihet krimi i organizuar, më pak se dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale të 20 gushtit, shkruajnë mediat e huaja. 

“Ju siguroj se ky krim nuk do të mbetet i pandëshkuar. Krimi i organizuar ka shkuar shumë larg, por ata do të ndjejnë peshën e plotë të ligjit,” tha Lasso në një deklaratë.

Para të shtënave, Villavicencio tha se kishte marrë kërcënime të shumta me vdekje, duke përfshirë nga bashkëpunëtorët e kartelit Sinaloa të Meksikës, një nga grupet e shumta të krimit të organizuar ndërkombëtar që tani veprojnë në Ekuador. Ai tha se fushata e tij përfaqësonte një kërcënim për grupe të tilla.

“Këtu po tregoj fytyrën time. Unë nuk kam frikë prej tyre,” tha Villavicencio në një deklaratë, duke emëruar bosin e arrestuar të krimit José Adolfo Macías me pseudonimin e tij “Fito”.

Villavicencio ishte një nga tetë kandidatët, megjithëse jo kryesuesi. Politikani, 59 vjeç, ishte kandidati për Lëvizjen Build Ecuador. Trafikantët e drogës në Ekuador kanë filluar të përdorin portet bregdetare të vendit. Më 26 korrik, Lasso shpalli një gjendje të jashtëzakonshme duke mbuluar dy provinca dhe sistemin e burgjeve të vendit në një përpjekje për të frenuar dhunën

Advertisement