Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në sulmin terrorist

Qeveria e Kosovës më 29 qershor 2023, i shpalli terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat veprojnë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe. Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 3 tetor se informatat preliminare të autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë ose pjesëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile” ose të “Brigadës Veriore”. Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore. Çka bën “Mbrojtja Civile”? Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë. Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011. Atëbotë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civilna zashtita” (Mbrojtja Civile), janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë. Në nëntor të vitit 2012, dhjetëra pjesëtarë të këtij formacioni kanë kryer ushtrime në sheshet kryesore të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.

Advertisement