Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Ja kush janë sponsorët e terrorit në Kosovë – Shkrim nga Enver Bytyçi

Kosova para një javë u vu nën terror. Në fakt në këtë gjendje ajo është prej dekadash. Pikat kulmore të terrorit serb ishin ngjarjet e 17-18 marsit 2004, vrasja e policit Enver Zymberi, trazirat e pas shpalljes së pavarësisë dhe vrasja e një ushtari të KFOR-it, si dhe më vonë, kur në pushtet erdhën Vjosa Osmani e Albin Kurti, barrikadat e shumta, bojkoti i institucioneve dhe zgjedhjeve e deri te akti terrorit i 24 shtatorit të kaluar! Ajo që ndodhi më 24 shtator dha mesazhin se terrori, dhuna, policia, xhandarmëria e madje as ushtria serbe nuk kalojnë në Kosovë! Prej të dielës së fundit të shtatorit 2023 bota kuptoi se shqiptarët janë të aftë të mbrohen edhe vetëm. Kjo nuk do të thotë se KFOR-i nuk do ketë rol. Por asnjë ushtar i NATO-s nuk është i gatshëm të japë jetën për Kosovën. Mbrojtja që bëri policia e Kosovës para 7-8 ditësh, provon se vetëm shqiptarët në polici, ushtri, FSK, në forcat speciale etj, janë të gatshëm ta mbrojnë edhe me jetë atdheun e tyre, Kosovën. Si kudo në botë, edhe në Kosovë, terrorizmi ka sponsorët e tij. Sponsor i akteve terroriste në veri të Mitrovicës është Serbia. Këtë e dëshmojnë prova pa fund, të cilat i deklaron çdo ditë ministri i Brendshëm, Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit! Sponsori kryesor serb është qeveria dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç! Këta komandojnë strukturat e tjera të shtetit të Serbisë, me qëllim ushtrimin e terrorit në Kosovë. Fëmijët në Serbi edukohen, injektohen dhe indoktrinohen me sëmundjen e nacionalizmit ekstrem, me thirrjet “vdekjen” e shqiptarëve! Të gjitha këto rrethana dhe aktorë sponsorizojnë terrorizmin në Serbi. Një terrorizëm që drejtohet kundër popujve të tjerë, sidomos kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve. Ky lloj terrorizmi është municioni më i madh shpërthimeve në rajonin tonë. Ndërkaq diplomatë perëndimorë “besojnë” se Serbia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe thuajse të gjithë në Europë besojnë se shteti e shoqëria serbe është e gatshme të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Me ose pavetëdije, jo pak politikanë e diplomatë perëndimorë, duke përkrahur Serbinë dhe Aleksandër Vuçiç, janë bërë sponsorë të terrorizmit serb në Kosovë e përtej Kosovës. Por akti terrorist në Zveçan ua kthjelloi kokën, nëse një gjë e tillë ka ndodhur vërtet! Sponsorë të tjerë të terrorit serb në Kosovë janë gjithashtu politikanë shqiptarë, analistë, gazetarë, media dhe organizata jo qeveritare që kanë shërbyer për tia ndërruar imazhin Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç.

Advertisement