Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Rripi i Gazës në “Rrethim të plotë”

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë të hënën se e ka urdhëruar “rrethimin e plotë” të Rripit të Gazës, duke shtuar se autoritetet do ta ndërpresin rrymën, si dhe nuk do ta lejojnë futjen e ushqimit e as karburanteve. Izraeli e kontrollon hapësirën ajrore mbi Gaza dhe vijën bregdetare të saj, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash lejohen të futen brenda pikave kufitare dhe të dalin jashtë tyre. Ngjashëm, Egjipti kontroll se kush futet dhe kush del jashtë kufirit të tij me Gazën. Izraeli deklaroi luftë formalisht të dielën dhe i dha ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës. Izraeli thotë se më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe 100 të tjerë janë rrëmbyer nga Hamasi. Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, sipas zyrtarëve palestinezë. Autoritetet izraelite njoftuan se ushtria izraelite i ka sulmuar më shumë se 1.000 caqe brenda Rripit të Gazës gjatë natës mes 8 dhe 9 tetorit. Alarme për sulme ajrore janë lëshuar të hënën në Jerusalem dhe në gjithë Izraelin, pasi Hamasi po vazhdon të hedhë raketa nga Gaza, sipas FMI-së. Të hënën u raportua për së paku tri shpërthime në Jerusalem. Nuk është e qartë nëse shpërthimet erdhën si pasojë e rënies së raketave, apo parandalimit të tyre nga mbrojtja ajrore e Izraelit.

Advertisement