Rajon
‘Nuk pranoi flamurin e Kosovës’, Brnabiç bojkoton foton familjare në Samitin e Procesit të Berlinit
Liderët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor realizuan foton familjare, pasi mbaroi sesioni parë i punimeve për Samitin e Procesit të Berlinit. Të gjithë liderët u mblodhën për të dalë në foto, ndërsa e vetmja që mungoi ishte kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, edhe pse aty ishin të pranishëm liderët më të fuqishëm të Bashkimit Europian dhe vetë kancelari Olaf Scholz, vendi i të cilit ka iniciuar këtë nismë.
Brnabiç s’mori pjesë pasi fotoja u realizua me flamujt e vendeve pjesëmarrëse, mes tyre edhe flamuri i Kosovës dhe ky i fundit duket hapur se ka bezdisur kryeministren serbe. Për të njëjtën arsye, rreth dy javë më parë edhe ministri i Jashtëm Ivica Daçiç nuk mori pjesë në foton familjare në ministerialin e Ministrave të Jashtëm BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Ndërkohë, kryeministri Kurti bashkë me liderët e tjerë të Ballkanit ishin pjesë e fotos, e cila tashmë është kthyer në një traditë në çdo samit. Rama u shfaq krah Scholz dhe Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.