LAJMI I FUNDIT
Vuçiç futet në kllapa/ BE: Tërhiqu nga marrëveshja me Kinën
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, ka thënë se Serbia do të duhet tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe me palët e treta në ditën e pranimit në Union, duke iu referuar marrëveshjeve tregtare me Kinën që së fundmi shteti serb i ka nënshkruar. Serbia, shpjegoi Stano, mund të lidhë marrëveshje tregtare me vende apo organizata të tjera përpara se të anëtarësohet në BE, “me kusht që ato të mos bien ndesh me dispozitat e Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit”. Ai shtoi se tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet tregtare me palët e treta nuk është “një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që zbatohet për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”. Serbia dhe Kina nënshkruan të mërkurën në Pekin një sërë marrëveshjesh në prani të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe presidentit të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, ndër të cilat më e rëndësishmja është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë. “Serbia është një ‘mikë e çeliktë’ e Kinës” – Kështu është deklaruar Presidenti i Kinës, Xi Jinping, pas takimit që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Pekin. Duke folur për takimin me të, Jinping ka thurur elozhe për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë e Kinës duke deklaruar se relacionet ndërmjet dy vendeve i “kanë rezistuar ndryshimeve në peizazhin ndërkombëtar në vitet e fundit dhe janë një shembull se si marrëdhëniet miqësore të Kinës me vendet evropiane duhet të jenë”. Ai gjithashtu ka theksuar se Kina e “mbështet fuqishëm Serbinë në ruajtjen e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial dhe është e gatshme të vazhdojë me forcimin e sinergjisë strategjike me Serbinë”. Në kohën kur e gjithë bota perëndimore është pozicionuar kundrejt Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, Vuçiç, ka zgjedhur të thur elozhe ndaj presidentit Vladimir Putin dhe Xi Jinping. Vuçiç, në një prononcim të shkurtër për media, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me Putin-in, i cili sipas tij “po shpërthen nga vetëbesimi”.