Kosova
Pa dialog, nuk ka alternativë/ Bilçik: Sanksionet, pas hetimit të sulmit terrorist
Në kohën kur autoritete kosovare po kërkojnë një qasje më ndryshe dhe një ri-konstruktim të procesit të dialogut, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, ka theksuar se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka alternativë dhe se palët duhet të vazhdojnë me bisedimet.
“Nuk ka plan B. E vetmja rrugë përpara në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialogu dhe të gjitha alternativat e tjera janë tragjike. Ne duhet t’i kthehemi dialogut dhe të gjithë duhet të jenë serioz dhe të përkushtuar. Përndryshe, do të kemi një pamje shumë të ndryshme, e cila nuk do t’i pëlqejë asnjërit prej nesh” – theksoi Bilçik
Duke komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në Veriun e Kosovës, ka potencuar se deri më tani nuk është vendosur një lidhje e qartë mes Beogradit zyrtar dhe asaj që ka ndodhur në Banjskë më 24 shtator, prandaj sipas tij thirrja për vendosjen e sanksioneve Serbisë, para përfundimit të hetimit nuk është një rrugë konstruktive përpara.
“Është thelbësore që ne t’i dimë të gjitha faktet. Ne kemi nevojë për një hetim të qartë dhe të besueshëm për atë që ndodhi. Masat kufizuese do të trajtohen në rezolutë dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ndjenja ime dhe e grupit tim politik është që ne të marrim masa kufizuese ndaj Serbisë dhe Beogradit vetëm nëse vendoset një lidhje e qartë mes ngjarjeve në Banjskë dhe udhëheqjes në Beograd”.