Connect with us

Bota

DASH kërkon që Kosova dhe Serbia urgjentisht dhe seriozisht të angazhohen në dialog

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që urgjentisht dhe seriozisht të angazhohen në përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“I mirëpresim takimet që janë mbajtur për të avancuar procesin e normalizimit” – thuhet në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit dhënë për Zërin e Amerikës, edicioni në gjuhën serbe, me rastin e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe liderët e shteteve anëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit, ndër të tjera, ka ritheksuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm dialogun si të vetmen mënyrë për siguruar marrëdhënie miqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, zhvilluan takime të ndara me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë. Të cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, takime përfunduan pa ndonjë pajtim mes palëve.

Kurti, ka insistuar në nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të prociesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, kurse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka refuzuar nënshkrimin e tekstit sikurse në takimet e mëparshme.

Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre. Ndërsa Vuçiç potencoi në një konferencë për media se e ka pranuar themelimin e Asociacionit por Serbia nuk mund ta njoh Kosovën si vend të pavarur dhe as nuk do ta pranojë anëtarësimin e saj në OKB.

Në anën tjetër shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

Advertisement