Connect with us

Rajon

Petkoviç pretendon se Asociacioni do ketë kompetenca ekzekutive: S’do jetë kurrë OJQ

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe “nuk do të jetë kurrë një organizatë jo qeveritare në kuadër të së cilës përfaqësuesit e disa ambasadave perëndimore në Prishtinë do të dëshironin ta vendosin atë”, teksa dhe e ka cilësuar si “të vetmin mekanizëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Kosova e ka pranuar draftin e Statutit të Asociacionit, ku parashihet që i njëjti t’i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjë që e pohoi këtë të enjte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili përjashtoi çfarëdo mundësie që ky mekanizëm të ketë kompetenca ekzekutive.

Mirëpo, ndryshe nga deklarimi i Hovenier-it, por edhe I bashkësisë ndërkombëtare përsa i përket kësaj çështje, krejt ndryshe ka pretenduar korrieri më i madh i propagandës serbe, Petkoviç.

“Asociacioni është korniza dhe garantuesi më konkret për ruajtjen e të drejtave kolektive dhe individuale, si dhe kompetencat ekzekutive të negociuara për serbët në Kosovë në çështjet më të rëndësishme sociale, ekonomike, politike, kulturore, zhvillimore, ekonomike dhe të sigurisë”, pretendoi ai.

Sipas Petkoviç, të gjitha marrëveshjet për Statutin e Asociacionit dhe “kompetencat tashmë të vendosura të popullit serb në Kosovë, sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, Karta e Kombeve të Bashkuara dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, duke tentuar që ta përjashtojë Kushtetutën e Kosovës, ndonëse drafti evropian për këtë mekanizëm e parasheh një gjë të tillë.

“Pikërisht këtë e ka thënë qartë dhe pa mëdyshje presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përballë zyrtarëve ndërkombëtarë disa herë, përfshirë takimin e fundit në Bruksel me liderët evropianë! Për ne Kushtetuta e Republikës së Serbisë është e shenjtë dhe Rezoluta 1244 e OKB-së është ende në fuqi në Kosovë”, pretendon Petkovic, duke shtuar se: “OKB-ja dhe asnjë konferencë mediatike, e as duke iu referuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila nuk ka kredibilitet jashtë kabineteve të caktuara apo ambasadave të huaja, nuk mund ta pezullojë apo anulojë atë”.

Siç theksoi Petkoviç, Asociacioni “me kompetenca konkrete dhe të përcaktuara qartë për popullin serb është negociuar më shumë se dhjetë vjet më parë në Bruksel dhe asnjë deklaratë e vetme dhe as lista e dëshirave të dikujt nuk mund të anulojë atë që është garantuar nga i gjithë Bashkimi Evropian dhe atë që ata vunë nënshkrimin e tyre basjkë me përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës. Kushdo që nuk dëshiron të respektojë marrëveshjet, por edhe të drejtën ndërkombëtare, të mos mendojë të pezullojë në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet dhe marrëveshjet e vlefshme nga Brukseli nga viti 2013 dhe 2015, të cilat përcaktojnë qartë kompetencat e Asociacionit dhe të mos mendojë për anulimin e të gjitha arritjeve të dialogut të deritanishme” – theksoi Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, duke shtuar se një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, e ajo është se Vuçiç “nuk ka reaguar asnjëherë ndaj presioneve, pa marrë parasysh se nga cila anë kanë ardhur dhe sado të dhunshëm kanë qenë. Ai do të vazhdojë të luftojë fuqishëm për interesat e popullit serb dhe për paqen në Kosovë”.

Advertisement