Politike
Aleatët e PD-së propozojnë krijimin e një federate opozitare
Aleatët e Partisë Demokratike, të përfaqësuara nga kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kanë prezantuar paraditen e së premtes propozimin e tyre për krijimin e një federate opozitare e cila synon të shprehë mendimin e unifikuar të pakicës në Parlament.
Nismëtari Mediu theksoi se opozita, vetëm e bashkuar mund të ndryshojë realitetin politik në Shqipëri.
Aleatët e PD-së propozuan institucionalizimin e federatës së opozitës nën moton “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, një Shqipëri europiane.”
Federata e opozitës pritet që të ketë një emër, një program politik dhe një logo.
Aleatët e PD-së deklaruan se synimi i tyre është që opozita të dalë me një qëndrim të unifikuar për Reformën Zgjedhore, përpara se të kalojnë në diskutime me mazhorancën socialiste.
“Kemi shpresë se do t’i thërrasin arsyes,” Agron Duka.
Drejtuesit e partive të vogla opozitare theksuan se iniciativa e tyre nuk ka synim ndarjen apo përcaktimin se kush e drejton Partinë Demokrate, por se si objektiv kryesor kanë që pakica në Parlament të dalë me qëndrime të unifikuara për Reformën Zgjedhore, Komisionet Parlamentare apo edhe në marrëdhëniet me diasporën dhe ndërkombëtarët.