✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Ilir Meta në izolim ekstrem/ Xhixho nuk të fal, akuzon Edi Ramën: Pas platformave “moderne” fshihet dështimi

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po rikthen platformat e komunikimit me qytetarët si një mekanizëm elektoral, pas 14 vitesh në pushtet.

Xhixho tha se problemet e shqiptarëve nuk zgjidhen me platforma dhe deklarata, por me funksionimin real të administratës. Sipas saj, rikthimi i nismave si “Pasqyra” dhe takimet me qytetarët përmes programit “Besa” janë dëshmi se administrata nuk ka funksionuar siç pretendohet nga qeveria.

Xhixho e akuzoi Ramën se është më shumë i fokusuar te “algoritmi, imazhi dhe performanca” sesa te zgjidhja e problemeve të qytetarëve. Ajo e cilësoi qeverisjen si të dështuar dhe deklaroi se Shqipëria është kthyer, sipas saj, në një “narko-shtet”, duke akuzuar qeverinë për lidhje mes politikës dhe krimit të organizuar.

Deputetja kritikoi gjithashtu situatën në shëndetësi, arsim dhe administratë, ndërsa ngriti akuza për një aferë të mundshme në sistemin farmaceutik. Për sistemin onkologjik, ajo tha se pacientët përballen me mungesa barnash dhe pajisjesh.

Një pjesë të rëndësishme të kritikave Xhixho ia kushtoi edhe reformës në drejtësi. Sipas saj, Rama e ka mbështetur reformën kur ajo është përdorur ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa tashmë e kritikon kur hetimet prekin zyrtarë të mazhorancës.

Xhixho përmendi edhe aferën e inceneratorëve, duke argumentuar se, sipas saj, pavarësisht shumave të mëdha të përfshira, përgjegjësia politike nuk është adresuar në nivelin që ajo pretendon.

Në lidhje me Ilir Metën, ajo foli për “izolim ekstrem” dhe kërkoi më shumë transparencë në procesin gjyqësor ndaj tij, duke e cilësuar situatën si të motivuar politikisht.

Në përfundim, Xhixho e përshkroi rikthimin e Ramës te platformat dhe komunikimi direkt me qytetarët si një “mekanizëm të dëshpëruar”, duke pretenduar se pas 14 vitesh qeverisje kryeministri po përpiqet të rikrijojë besimin përmes një narrative të re, ndërsa problemet e administratës dhe të shërbimeve publike, sipas saj, mbeten të pazgjidhura.

“Pra ky kryeministër që trumbetoi dhe tha askush nuk ka meritë në këtë reformë drejtësi po vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama. Tani mbas 14 vitesh thotë, dhe linçon organet e reja të drejtësisë. Sepse deri dje e përdorte drejtësinë kundër kundërshtarëve politikë.

Liderëve të opozitës, Zotit Berisha, Zotit Meta e të gjithë me radhë dhe ishte shumë mirë drejtësia. Tashmë që për shkak të partnerëve tanë ndërkombëtarë, s’duhet të harrojmë qoftë për dosjen e Akshit, qoftë për dosje të tjera, janë partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët po shtyjnë dosje të caktuara. Pra nuk është rezultat i SPAK-ut, por i partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tani që vjen te Gjiknuri, te Akshi, te grupi i strukturuar kriminal, te Belinda Balluku, tani reforma në drejtësi ka dështuar! Ndërkohë që një dështim që ka bërë reforma në drejtësi, padyshim që ne e njohim, apo një çështje e cila do të duhej të ishte adresuar është padyshim pandëshkueshmëria e kryeministrit Rama. Dhe nga ana tjetër, goditja e kundërshtarëve politikë.

Pra ndërkohë që sot që flasim ti nuk ke asnjë zyrtar të burgosur për aferën e inceneratorëve, 400 milionë euro të djegura. Ti ke Tiranën sot në plehra, të ndotur, ndërkohë që djegësi nuk ekziston dhe nuk ke asnjë në burg sot. Po ke Ilir Metën, ke padyshim Presidentin e Partisë së Lirisë, me një situatë të rënduar, izolimi ekstrem për urdhra politikë të Edi Ramës.

Po Zoti Blushi e denoncoi sot edhe nga paraburgimi 313, lejohen vetëm katër takime të familjarëve, duhet të heqësh dorë nga një takim që të takojë lidershipin e partisë, dhe izolimi ekstrem, absolutisht me urdhër politik të Edi Ramës vazhdon në mënyrë kriminale, siç vazhdoi rrëmbimi i tij banditesk. Dhe sheh se si arrestohen personat afër Rilindjes dhe se si arrestohen kundërshtarët politikë të Edi Ramës. Rrëmbehen në mënyrë kriminale në dritë të diellit dhe vazhdon hetimi pa asnjë fakt, asnjë provë ende ndaj Zotit Meta, vazhdon procesi i gjykimit. Nuk ka transparencë, ju kanë hequr dhe ju të drejtën për të transmetuar live. Gjykata e Lartë e ka bërë rregullore.

As telefonat avokatëve, as laptop, asgjë. Censurë totale. Ndërkohë që Zoti Meta ka kërkuar transparencë, ka kërkuar që të bëhet publike siç bëhet në çdo vend të botës”

Advertisement