Shkrime
Enver Bytyçi sjell fakte se lufta po vjen në Ballkan
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi tha se ideja dhe kërkesa e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të dërguar trupa shtesë të përhershme në Kosovë është një domosdoshmëri pas situatës së krijuar së fundi pas sulmit terrorist serb në veri të Kosovës.
“NATO dhe Evropa, por edhe SHBA-të, nuk mund të tolerojnë një konflikt të ri në Ballkan. Jam i bindur se perëndimi është përpjekur ta largojë hijen e komploteve, konflikteve dhe të luftës në rajonin tonë përmes tërheqjes së Serbisë në kampin dhe aleancën euro-atlantike. Por humbën kohë kot, siç humbën kohë me iluzionin se Rusia nuk do të ishte një vend kaq kërcënues për paqen dhe lirinë e Evropës. Por më mire vonë se kurrë. Edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien paralajmëroi se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n. Dmth se NATO, SHBA-të dhe Evropa kanë kuptuar tashmë se Serbia është rrezik po aq i madh për kontinentin e vjetër sa edhe Rusia” – ka deklaruar Bytyçi
Sipas tij, të gjitha të dhënat shkojnë në drejtim të asaj se presidenti i Serbisë, ushtria dhe forcat speciale që komandohen nga Beogradi janë të gatshëm të shkaktojnë trazira të reja në veri të Kosovës.
“Jo rastësisht Radojçiç u la i lirë nga gjykata e Beogradit, edhe pse pranoi se ishte drejtuesi i bandës terroriste më 24 shtator ne Banjskë. Jo rastësisht rritet prania e qendrave të spiunazhit dhe stërvitjes nga ana e Rusisë. Gjithashtu nuk duhet anashkaluar fakti që Kisha Ortodokse Serbe është shndërruar si në kohën e Milosheviçit në një depo armatimi modern, që përdoret për të destabilizuar Kosovën. Ndërkaq janë hapur kufijtë dhe bandat terroriste strehohen sa në Republikën Srpska, sa në Rashkë e Beograd edhe në veri të Kosovës” – theksoi profesori
Më tej, Bytyçi deklaroi se rruga më e suksesshme e parandalimit të veprimtarisë destabilizuese të Serbisë, është pranimi në NATO i Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
“Kjo është plotësisht e mundur. Nëse të gjitha vendet e tjera të aleancës janë dakord, atëherë nuk mund të kundërshtojnë Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Nuk e kuptoj pse nuk ndiqet një rrugë e tillë e garancive për stabilitet e siguri në Ballkan, edhe pse kjo mënyrë është më pak e kushtueshme”.
Bytyçi gjithashtu u shpreh se qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj duhet të jenë të kujdesshme.
“Nëse ndodh ndonjë akt terrorist i ngjashëm me atë të 24 shtatorit, do të duhej që me këtë akt të përballeshin forcat e sigurisë së Kosovës. Do të duhej që terrorizmi në veri të vendit të përballohej dhe asgjësohej prej këtyre forcave. Kosova duhet të dëshmojë se është e aftë të përballet me sfidat që shkakton terrorizmi serb. Përvoja e zbulimit të aktit terrorist në Banjskë është e mjaftueshme. Thjesht nuk duhet shkujdesje dhe eufori apo vetëkënaqësi! I duhet bërë me dije Beogradit se Kosova është e aftë në koordinim me NATO-n, por pa përfshirjen e saj në konflikt, të parandalojë dhe asgjësojë çdo përpjekje destabilizimi në Kosovë e veri të saj” – potencoi profesor, doktor Enver Bytyçi.