Connect with us

Kosova

Burrështetasit e Kosovës nuk ia dolën ta mbronin pastërtinë e lirisë nga punëtoritë antishqiptare serbe

Tani kur të gjithë jemi bërë pjesë e vajtojcave kolektive për atë që na ndodhi me Gjykatën Speciale për krimet e luftës në Kosovë, ne duhet ta kthejmë shikimin kah vetvetja dhe të mos shtiremi thuajse nuk e dimë se ajo është themeluar para pesë vitesh dhe se për të kanë votuar deputetë shqiptarë të Kosovës.
Dhe plotë 5 vite, institucionet e Kosovës dhe burrështetasit e saj nuk bënë thuajse asgjë për të dëshmuar se kriminelët e luftës duhet kërkuar në Serbi dhe në Beograd, atje ku ishte punëtoria e lërave të përgjakura ballkanike, e jo në hapësirat e viktimës – në Kosovë.
Pra 5 vite ne ndaj kësaj gjykate u sollëm thuajse ajo do ndante u dekorata e nuk do ngrinte aktakuza kundër ish luftëtarëve të UÇK’së.
Dhe jo vetëm pesë vitet e shkuara, por më shumë se aq, disa nga burrështetasit e Kosovës, që në ndërkohë u bënë ‘kriminelë të paqes’, harruan se pastërtinë e luftës dhe të lirisë duhej ta mbronin nga mjeshtrit e krimit dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve – nga institucionet dhe punëtoritë antishqiptare serbe, që punonin ditë e natë për t’i treguar botës se Kosova nuk kishte brumë shtet formues.
Pastaj që nga çlirimi e këtej, të zënë me mbushjen e xhepave të vet, burrështetasit e Kosovës nuk vërejtën se që moti disa qarqe evropiane kishin nisur procesin që gjithë neve ballkanasve të na barazonin në fajësi me kriminelët serb dhe, kështu të mos kishte viktima dhe kriminelë, por etni njësoj barbare që duhet edhe njësoj dënuar për të shkuarën e përgjakur të Ballkanit.
Pra përderisa institucionet e Kosovës ishin të përqendruara në mbrojtjen e të pushtetshmit dhe të fortit, duke harruar çka kishin përjetuar viktimat, Serbia bënte çmos që ta njolloste luftën për liri të shqiptarëve.
Shkurt e shqip, Gjykata special e Hagës u themelua por askush nga Kosova as dhe Shqipëria nuk bëri asgjë që të dëshmojë se Serbinë e drejtonin burrështetas të dale nga kapota e Millosheviqit.
Përkundrazi, tani ish-Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë, bënë çmos që Presidentit serb t’ia shpërlanin të shkuarën kriminale, bënë çmos që t’i çonin përpara projektet serbe, siç ishte ‘Minishengeni Ballkanik’ me kryeqendër Beogradin, e që i ndihmonte burrështetasit serb të shpërfaqeshin si paqendërtues të epur edhe pse ishin projektues të dikurshëm të shfarosjes së popujve joserbë, edhe pse u distancuan nga Millosheviqi jo pse ai ishte ‘kasapi i Ballkanit’, por pse nuk e zbatoi projektin e vet shfarosës ndaj joserbëve .
Dhe sot kur Kosova është përballur me një betejë jo të lehtë, që të dëshmojë se ka bërthamë shtetformuese, shqiptarët e atjeshëm duhet të sillemi ashtu siç bëjnë të urtit: ndershëm ta përballësh të keqen që të ka ndodhur dhe nga ajo të nxjerrës ndonjë të ‘mirë’.
Dhe të ‘mirën’ që mund ta nxjerr Kosova nga kjo e keqe që i ka ndodhur është të ‘çlirohet’ nga disa zhvatës të saj dhe të promovojë një gjeneratë ndryshe burrështetasish, një gjeneratë që do ndërtojë shtet për popullin, e jo pushtet për vetveten. (

Kim Mehmeti

)

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *