Connect with us

Aktualitet

Lirohet nga burgu Alket Hatija, ‘Zoti i Dro*gës’

Alket Hatija, një ndër emrat më të njohur në botën e krimit, i cili u ekstradua në Itali në fund të gushtit, i dënuar nga Apeli me vendim të formës së prerë me 20 vjet burg për trafikim narkotikësh dhe vepra të tjera penale, ka fituar lirinë. Gjykata e Apelit të Milanos, me vendim të datës 11 dhjetor 2023, konsideron se dënimi i kryer në Shqipëri, vendim i dhënë nga gjykatat shqiptare për 10 vjet burg është për të njëjtat vepra penale dhe në këto kushte, konsiderohet i shlyer. Brenda afateve ligjore, mbrojtësit e Hatisë bënë ankim në gjykatë pas ekstradimit të tij në datën 31 gusht të këtij viti. Sipas Kodit të Procedurës Penale të Italisë, personat e ekstraduar kanë të drejtë të rihapin procesin brenda afatit ligjor prej 30 ditëve, praktikë kjo që u ndoq edhe nga Alket Hatija. Në vitin 2006 shkalla e parë e dënoi Hatinë me 44 vjet burg, e cila në atë kohë shkoi në 30 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar, e pranuar nga avokati i tij. Në vijim, Italia i kërkonte Shqipërisë arrestimin e tij për efekt ekstradimi, por arrestimi i vitit 2007 rezultoi në dënimin e tij me 10 vjet burg me gjykim të shkurtuar në Shqipëri dhe ekstradimi nuk u krye. Gjatë kohës që ai ishte në burg në Shqipëri, Gjykata e Apelit të Milanos ka marrë njoftim për dënimin dhe gjendjen e tij në qeli nga avokati, megjithatë në janar 2010 atij i është nisur njoftim për dijeni për gjyqin, i cili ka ardhur 6 muaj me vonesë në Shqipëri.

Advertisement