Bota
Oligarku rus i afërt me Putinin financoi fshehurazi dasmën e djalit të Donald Trump
Dasma e Donald Trump Jr., djalit të madh të presidentit amerikan Donald Trump, me modelen Bettina Anderson u zhvillua në maj në Bahamas, në një ceremoni që u përshkrua si e vogël dhe intime.
Çifti zgjodhi një ambient luksoz në dy ishuj privatë, të rrethuar nga palma dhe plazhe tropikale, ku të ftuarit shijuan një festë larg syrit të publikut. Ata udhëtuan me helikopter, kërcyen në plazh dhe morën pjesë në aktivitete të ndryshme.
Por, pas shkëlqimit të ceremonisë, një detaj i rëndësishëm ka tërhequr vëmendjen: një pjesë e madhe e shpenzimeve të dasmës nuk u pagua nga çifti.
Sipas një hetimi të ProPublica, qindra mijëra dollarë të shpenzimeve u mbuluan nga Umar Kremlev, një biznesmen rus dhe figurë e afërt me presidentin Vladimir Putin.
Kremlev dyshohet se pagoi qiranë e ishullit kryesor, me një kosto që arrinte deri në 100 mijë dollarë për natë, si dhe rreth 70 mijë dollarë për fishekzjarrët. Për organizimin e festës u vu gjithashtu në dispozicion edhe ekipi i tij, i cili ndihmoi me çështjet logjistike.
Një dasmë me vetëm 50 të ftuar
Në ceremoninë e zhvilluar në dy ishuj privatë, të cilët janë shfaqur edhe në filma të James Bond, morën pjesë rreth 50 persona.
Mes të ftuarve ishin familjarë, përfshirë Eric Trump dhe Jared Kushner, disa bashkëpunëtorë biznesi, si dhe Kremlev dhe një grup shtetasish rusë.
Sipas personave të pranishëm të cituar nga ProPublica, grupi rus qëndroi kryesisht në prapaskenë.
Prania e tyre nuk u përmend publikisht pas dasmës dhe nuk shfaqet në fotografitë apo videot e publikuara nga çifti Trump. Kremlev mund të dallohet vetëm në një fotografi grupi të publikuar në Instagram nga një mik i nuses.
Pas ceremonisë, Trump Jr. e përshkroi dasmën në podcastin e tij si “fantastike dhe intime”, por nuk foli për praninë e Kremlevit dhe të grupit rus.
Kush është Umar Kremlev?
Umar Kremlev është president i Federatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA), një organizatë që është përfshirë në polemika të shumta dhe që ka marrë financim nga Gazprom, gjiganti shtetëror rus i energjisë.
Sipas ProPublica, shpenzimet për dasmën u financuan përmes një kompanie me bazë në Dubai dhe të lidhur me IBA-n.
Zëdhënësi i Trump Jr. nuk e mohoi financimin. Ai e cilësoi Kremlevin si një “mik personal” të Trump Jr., të cilin ai e kishte njohur përmes interesit të përbashkët për gjuetinë dhe boksin. Edhe zyra e Kremlevit konfirmoi se të dy kanë një marrëdhënie miqësore.
Pikëpyetjet për ndikimin rus
Rasti ka ngritur pikëpyetje në Uashington për marrëdhëniet mes njerëzve të afërt me familjen Trump dhe figurave të fuqishme ruse.
Ekspertë të kundërzbulimit të cituar nga ProPublica theksojnë se pagesat e mëdha mund të krijojnë një ndjenjë detyrimi dhe, në raste të caktuara, të përdoren për të siguruar akses te persona me ndikim.
“Nëse unë paguaj për dasmën tuaj, herët a vonë do të më keni borxh diçka”, tha një ish-agjent.
Ish-zyrtarë të FBI-së shprehen se pranimi i një financimi të tillë e vendos Trump Jr. në një pozitë të ndjeshme, veçanërisht për shkak të rolit të tij të rëndësishëm politik pranë administratës së babait të tij.
Trump Jr. ka luajtur rol aktiv në përzgjedhjen e disa prej figurave kryesore të administratës, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance.
Shqetësimet janë shtuar edhe për shkak të faktit se Kremlev ishte nderuar nga Vladimir Putin me “Urdhrin e Miqësisë” vetëm një muaj para dasmës.
Në këtë kontekst, pyetja që ngre hetimi është e drejtpërdrejtë: pse Donald Trump Jr. pranoi që një oligark rus të paguante një pjesë të madhe të dasmës së tij, kur pasuria e tij personale vlerësohet në rreth 300 milionë dollarë?
/Corriere della Sera