Shkrime
51 qeli bosh, Haga po zbrazet por historia që la pas, duket se ende nuk ka përfunduar
Shkruar nga Paolo Lepri
Haga po zbrazet, por fantazmat e luftërave të përgjakshme të ish-Jugosllavisë duket se nuk janë larguar.
Në qelitë e njësisë së paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Scheveningen, dikur të mbushura me emrat më të famshëm të krimeve të luftës në Ballkan, sot ka mbetur vetëm një prej të dënuarve.
Miço Stanishiç, ish-ministër i Brendshëm i serbëve të Bosnjës, është i fundit që ndodhet në atë që është pagëzuar si “Hiltoni i Hagës”.
Stanishiç u dorëzua në vitin 2005 dhe u dënua me 22 vite burg për rolin e tij në krimet e kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Emri i tij lidhet veçanërisht me masakrën e Bijeljinës, ku në prill të vitit 1992 u vranë dhjetëra persona, kryesisht myslimanë boshnjakë.
Gjykatësit e lidhën përgjegjësinë e tij me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte largimin e popullsisë joserbe nga territoret e Bosnjë-Hercegovinës. Stanishiç e ka deklaruar veten të pafajshëm.
Por sot, nga 52 qeli në Scheveningen, sipas medias spanjolle “El Mundo”, 51 janë bosh.
Një simbol i mbylljes së një epoke, por jo domosdoshmërisht i zhdukjes së pasojave të saj.
Ratko Mlladiç, i cilësuar si “Kasapi i Ballkanit” dhe përgjegjës për masakrën e Srebrenicës, është një tjetër prej figurave që tashmë i përket historisë së Hagës. Po ashtu, në muajt e fundit ka vdekur edhe Félicien Kabuga, i akuzuar për financimin e gjenocidit në Ruandë.
Ndërsa Radovan Karaxhiç, ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, po vuan dënimin në Britaninë e Madhe.
Por nëse qelitë e Hagës po boshatisen, hija politike e këtyre figurave duket se vazhdon të rëndojë mbi Serbinë.
Sidomos pas nderimeve të jashtëzakonshme që iu bënë Mlladiçit në Beograd pas vdekjes së tij.
Ky reagim, sipas analizës së Paolo Leprit, mund të shndërrohet në një “bombë me sahat” për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, në një kohë kur procesi i anëtarësimit të Beogradit në BE është prej kohësh i vështirë.
Në qendër të kësaj përplasjeje qëndron edhe Aleksandar Vuçiç.
Presidenti serb ka shpërndarë Parlamentin dhe vendi shkon në zgjedhje më 25 tetor, ndërsa lëvizja studentore, e cila është shndërruar në forcën kryesore opozitare, synon të hapë një kapitull të ri politik.
Një fitore e studentëve mund të ndryshojë ekuilibrat në Beograd.
Por pyetja që mbetet pezull është nëse Serbia do të arrijë të shkëputet nga fantazmat e së kaluarës dhe të përballet me një Evropë që kërkon jo vetëm reforma politike, por edhe një tjetër raport me trashëgiminë e luftërave të Ballkanit.
Haga po zbrazet.
Por historia që la pas, duket se ende nuk ka përfunduar.