Kronike
Rregullorja e GJKKO-së/ Lala ashpërson tonet: Pse duhet adresa e shtëpisë së gazetarit?
Gazetarja Klodiana Lala e ka cilësuar si censurë rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për raportimin e medias. Kundër kësaj rregulloreje, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e dispozitave që lidhen me punën e gazetarëve në ambientet e gjykatës.
Lala tha se rregullorja bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën, veçanërisht për sa i përket kërkesës për akreditimin e gazetarëve. Sipas saj, kjo kërkesë ngre pikëpyetje për parimin e publicitetit të seancave gjyqësore, të cilat sipas ligjit janë publike, përveç rasteve të parashikuara ndryshe.
Lala kritikoi edhe kërkesën për të deklaruar adresën e banimit në formularin e akreditimit, duke e cilësuar këtë të dhënë si të panevojshme. Ajo theksoi se në ambientet e GJKKO-së ekzistojnë tashmë masa të shumta sigurie, përfshirë kontrollet në hyrje, skanimin dhe kontrollin fizik, ndërsa seancat regjistrohen në sistemin audio.
Një tjetër pikë e kundërshtuar nga gazetarja është kërkesa që reporterët të betohen se do të thonë të vërtetën. Sipas Lalës, një detyrim i tillë është i papërshtatshëm, pasi gazetarët nuk kanë statusin e dëshmitarit në proceset gjyqësore.
Kundërshtimet ndaj rregullores vijnë në një periudhë kur në GJKKO po zhvillohen procese ndaj figurave të rëndësishme politike, ndërsa disa çështje të tjera pritet të kalojnë për shqyrtim gjyqësor.
Lala deklaroi se, nëse kërkesa e gazetarëve nuk merr zgjidhjen e pretenduar në Gjykatën Kushtetuese, çështja mund të vijojë edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.