Politike
Gjykata e Lartë merr vendimin për Veliajn, kryebashkiaku mbetet në burg
Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Vendimi është marrë këtë të martë, 15 shtator, pas shqyrtimit të çështjes së kthyer për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 13, datë 13.03.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Çështja u shqyrtua me palë kërkuese Veliajn dhe si palë të interesuar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë përcakton gjithashtu se shpenzimet gjyqësore janë në ngarkim të subjektit të interesuar.
Avokati britanik Ben Brandon ka deklaruar më parë se ai dhe kolegu i tij janë përfaqësuesit ligjorë ndërkombëtarë të kryebashkiakut dhe se ndodhen në Shqipëri për ta asistuar në këtë proces.
Sipas Brandon, mbrojtja ka punuar për përgatitjen e aplikimit dhe pretendon se prej më shumë se 14 muajsh i është mohuar mundësia për të takuar klientin e saj.
“Për më shumë se 14 muaj na është mohuar e drejta për të takuar klientin tonë. Kjo është e papranueshme”, u shpreh avokati, duke argumentuar se e drejta për t’u përfaqësuar nga mbrojtësit e zgjedhur është pjesë themelore e procesit të rregullt ligjor.
Brandon e cilësoi paraburgimin e Veliajt si “të panevojshëm dhe joproporcional”, duke kërkuar që masa të përfundojë.
Një ditë para shqyrtimit në Gjykatën e Lartë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar përmes një postimi në media sociale.
Bardhi deklaroi se nëse Gjykata e Lartë vendos lirimin e Veliajt, kjo do të ishte, sipas tij, “funerali përfundimtar i Reformës në Drejtësi”.
Ai pretendon se Veliaj ndodhet në burg për katër vepra penale dhe se SPAK e ka marrë të pandehur për disa raste korrupsioni, pastrim parash, fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre.
Bardhi u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të monitorojnë procesin në Gjykatën e Lartë, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të ndikojë trupin gjykues për të siguruar lirimin e Veliajt.
“Drejtësia nuk mund të ketë një standard për qytetarët dhe një tjetër, kur përballë saj janë njerëzit e pushtetit”, shkruan Bardhi.
Në reagimin e tij, deputeti demokrat u ka bërë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që të vendosin në përputhje me detyrën dhe standardet e drejtësisë, duke e lidhur vendimin e pritshëm me luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivelet e larta.