Shkrime
Ylli Manjani reagon pas kritikave për darkën me Gjergj Lucën: Nuk marr leje nga njeri
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas kritikave që mori në rrjetet sociale për pjesëmarrjen në inaugurimin e kompleksit të ri të biznesmenit Gjergj Luca në Apolloni.
Në një reagim të gjatë, Manjani thotë se pjesëmarrja në aktivitet ka qenë një zgjedhje personale dhe mohon që kjo të përbëjë ndonjë ndryshim në qëndrimet e tij publike.
Manjani thekson se njeh Lucën prej 24 vitesh dhe se gjatë kësaj periudhe mes tyre ka pasur “afrime e ftohje, dakordësi e mosdakordësi”. Megjithatë, ai shprehet pozitivisht për bizneset e Lucës dhe mënyrën se si organizohen aktivitetet e tij.
“Kur Luca organizon një event, shkohet për qejf. Dhe aty bëhet qejf. Pikë”, shkruan Manjani.
Duke iu referuar kritikave në rrjetet sociale, ish-ministri i cilëson autorët e tyre si “sharës dixhitalë” dhe pretendon se një pjesë e sulmeve ndaj tij dhe Lucës janë të motivuara politikisht.
Manjani këmbëngul se nuk ka ndryshuar asnjë nga qëndrimet e tij të mëparshme.
“Çdo deklaratë publike që kam bërë ndër vite i qëndroj pikë për pikë. Nuk kam asgjë për të tërhequr dhe nuk kam asnjë kontradiktë me veten time”, shprehet ai.
Ai rikthen edhe qëndrimin e tij kundër shitjes së votës, duke deklaruar se e konsideron atë “turp qytetar”, pavarësisht përkatësisë politike të personit që e shet votën.
Manjani thotë gjithashtu se kundërshtimi i tij ndaj protestave ka qenë i lidhur me “kulturën e sharjes dhe të linçimit”, ndërsa paralajmëron se montazhet dhe sulmet që, sipas tij, dëmtojnë reputacionin e tij do të ndiqen edhe në rrugë ligjore kur kalojnë kufijtë e lejuar.
Në fund, Manjani e bën të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga zgjedhjet e tij personale.
“Do të vazhdoj të shkoj te Luca po për kokrrën e qejfit tim. Madje, me shumë mundësi, ca më shpesh”, shkruan ai.
Duke e mbyllur reagimin, Manjani thekson se lirinë për të folur dhe për t’u dëfryer nuk ia jep askush.
“Nuk marr leje nga njeri”, përfundon ai.