Politike
Fluks për Agjencinë e Informimit/ Rama sfidon kritikët: Kush po e beson më “regjimin”?
Një numër i konsiderueshëm aplikantësh kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e Agjencisë për Media dhe Informim. Sipas kryeministrit Edi Rama, në proces kanë aplikuar 245 persona, mes tyre studentë, gazetarë, informaticienë dhe profesionistë të fushave të tjera.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama tha se aplikantët kanë paraqitur ide për thjeshtimin e gjuhës së komunikimit institucional, përdorimin më të gjerë të inteligjencës artificiale dhe krijimin e formateve më kreative për rrjetin MIA.
Kryeministri e shoqëroi reagimin me ironi ndaj kritikave të opozitës dhe kundërshtarëve politikë, të cilët e kanë cilësuar Agjencinë për Media dhe Informim si një strukturë propagandistike të qeverisë.
Rama ngriti pyetjen se si shpjegohet numri i lartë i aplikimeve për një institucion që, sipas kritikëve të qeverisë, shërben si “agjenci propagande e regjimit”.
Duke iu referuar kësaj teze, Rama ironizoi kundërshtarët duke deklaruar se një nga tre mundësitë është që “regjimi” të ketë harruar zanatin e terrorit, që propaganda e tij të ketë dështuar, ose që kjo narrativë të mos bindë më as ata që e përsërisin.