Kronike
“Endacaku vrasës”, mesazhi që u la në shtëpinë e Ilir Koçiljas pas tritolit
Një shpërthim me tritol u shënua mbrëmjen e djeshme në Durrës në banesën e Ilir Koçiljas, autori i vrasjes së Halil Kokës pas sherrit që pati me të për vendin e parkimit.
Në derën e shtëpisë së Koçiljas u vendos një sasi e madhe lënde plasëse, ku për pasojë është shembur një pjesë e murit, por janë shkaktuar dhe dëme të tjera materiale brenda në banesë.
Fatmirësisht në momentin që është shënuar shpërthimi në shtëpi nuk ka pasur asnjë person.
Sakaq, duket se tritoli në banesën e Koçiljas ka lidhje me vrasjen e Halil Kokës, pasi autori që vendosi lëndën plasëse ka lënë një mesazh: “endacaku vrasës”, ka shkruar në murin jashtë banesës.
Në lidhje me ngjarjen policia ka një të dyshuar, pasi kamerat e sigurisë kanë kapur një person që kalon pranë banesës, teksa mban veshur një kapuç dhe qëndron kokulur. Ndërkohë policia po punon për të verifikuar nëse është ky personi që ka vendosur lëndën plasëse.
“Më datë 26.02.2024, rreth orës 19:55, në lagjen nr.4, Durrës, në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit I. K., në të cilën nuk banon njeri, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale”, njoftuan blutë më herët.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e ngjarjes identifikim dhe kapjen e autorit/ve.