Bota
Mbikëqyrte hetimet ndaj Trump, jep dorëheqjen papritur prokurori amerikan
Prokurori federal në Miami, Jason Reding Quiñones, i cili mbikëqyrte rishqyrtimin e hetimeve të mëparshme penale ndaj presidentit amerikan Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Lajmi u konfirmua këtë të premte nga Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, raporton Reuters.
Quiñones drejtonte Prokurorinë e Distriktit Jugor të Floridës dhe ishte në qendër të përpjekjeve të administratës Trump për të rishikuar dy hetime të rëndësishme të së kaluarës që lidhen me presidentin amerikan.
Njëri prej tyre kishte të bënte me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trump pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021. Hetimi tjetër lidhej me kontaktet e fushatës së tij me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Sipas Reuters, këto përpjekje për rishqyrtimin e çështjeve nuk kanë prodhuar rezultate deri më tani.
Nën drejtimin e Quiñones, zyra e prokurorisë kishte ngritur gjithashtu një padi penale ndaj ish-presidentit kubanez Raúl Castro, në kuadër të politikës së presionit të administratës Trump ndaj Kubës.
Dorëheqja e tij është e dyta e një zyrtari të lartë të Departamentit amerikan të Drejtësisë pas zgjedhjeve të mesmandatit të së martës, në të cilat republikanët e Trump humbën kontrollin e Kongresit. Një ditë më parë, të enjten, kishte dhënë dorëheqjen edhe Harmeet Dhillon, e cila drejtonte njësinë për të drejtat civile.
Largimet kanë lënë pa drejtues dy prej strukturave që mbulonin nisma të rëndësishme të administratës, përkatësisht rishqyrtimin e hetimeve të mëparshme dhe çështjet që lidhen me arsimin e lartë.
Arsyeja e dorëheqjes së Quiñones nuk është bërë publike. Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetin social X, ai konfirmoi se largimi nga detyra hyri në fuqi të premten, duke e cilësuar shërbimin në këtë pozicion si një nder.