✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

KILOMETRI, CENTIMETRI, MILIMETRI… ILIR META TALL RAMËN: PO SHPIK DISTANCA PËR TË FSHEHUR DËSHTIMIN ME EUROPËN

Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për Progres-Raportin e fundit të Bashkimit Europian, duke e akuzuar atë se po përpiqet të paraqesë si suksese një bilanc që, sipas tij, dëshmon regresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Në një deklaratë me tone të forta ironike dhe kritike, Meta e cilëson dokumentin e Komisionit Europian si një “Regres-Raport”, duke kundërshtuar mënyrën se si Rama po e interpreton atë dhe duke e akuzuar kryeministrin se ka huazuar edhe termin opozitar “kilometri i fundit”, për të justifikuar zvarritjen e integrimit.

Sipas Metës, raporti nxjerr në pah një realitet krejt të ndryshëm nga propaganda qeveritare: dobësimin e shtetit të së drejtës, paralizimin e kontrollit parlamentar ndaj ekzekutivit, mohimin e komisioneve hetimore për opozitën dhe ndërhyrjen politike në sistemin e drejtësisë.

Ish-presidenti e lidh këtë situatë edhe me zgjedhjet, të cilat i konsideron të pabarabarta dhe të manipuluara, duke rikthyer në vëmendje dosjet e Dibrës dhe Shijakut dhe mungesën e hetimeve për krimet zgjedhore.

Kritikat e Metës shtrihen edhe te administrata publike. Ai e konsideron zero përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes së Bashkimit Europian si dëshmi të paaftësisë së administratës shtetërore, të cilën e përshkruan si të mbështetur mbi patronazhistët dhe besnikërinë partiake.

Ndërsa në fushën e mjedisit, Meta sjell në vëmendje protestat e qytetarëve, duke argumentuar se ato përbëjnë një tjetër tregues të dështimit të qeverisjes, të evidentuar edhe në raportin europian.

Në pjesën më ironike të reagimit, Meta tallet me retorikën e Ramës për “kilometrin e fundit”, duke thënë se kryeministri ka shpikur tashmë edhe “centimetrin e fundit” për të fituar kohë dhe për të zgjatur atë që e cilëson agoninë e qeverisjes. Me ironi, ai shton se nëse Rama qëndron edhe 15 vite të tjera në pushtet, do të shpikë edhe “milimetrin e fundit”.

Meta rikthen gjithashtu në debat zgjedhjet vendore të vitit 2019, kërkesat e Bundestagut gjerman për zgjedhje pluraliste dhe kushtet e vendosura në atë kohë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Sipas tij, Rama e ka vendosur pushtetin personal mbi interesin strategjik të integrimit europian.

Në fund, ish-presidenti akuzon kryeministrin për dhunim të Kushtetutës dhe institucioneve, duke përmendur edhe konfliktin për kompetencat në Bashkinë e Tiranës. Mesazhi i tij përfundimtar është një thirrje për t’i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës, të cilën e konsideron pengesën kryesore për afrimin e Shqipërisë me standardet europiane.

Advertisement