Kosova
DASH gozhdon Radojiçiç-in/ Ndaleni, është kriminel
“Ne kemi një qëndrim të qartë për Milan Radojiçiç-in. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit. Është kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi” – Kështu thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë, pas publikimit të nje fotografie ku shihet terroristi Milan Radojiçiç duke darkuar me ambasadorin e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç.
Terroristi Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, aktualisht është në kërkim nga INTERPOL-i, për shkak të sulmit në Banjskë, ku nje grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.