OPINION
Drejtorët e Veliajt, këta hajdutë përtacë
Nga Andi Bushati
Leximi i dosjes që çoi në burg tre nga drejtorët e rëndësishëm të Bashkisë të Tiranës, duke hetuar edhe plot të tjerë, nuk vërtetoi vetëm egzistencën e një bande të strukturuar grabitësish, por theu njëkohësisht edhe mitin e pompuar nga Veliaj, për zotësinë dhe profesionalizmin e stafit të tij.
Maringlen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe kanë vjedhur si amatorë duke i bërë gjërat sheshit dhe duke lënë gjurmë pothuaj në çdo hap. Gabimi i tyre i trashë dhe i shefit që i ka udhëzuar nuk është vetëm fakti se ata ngritën kompaninë 5D, të cilës i jepnin paratë që tenderonin vetë. Problemi i tyre nuk ishte dëshira për të vjedhur, por se atë e bënë halldupçe, si amatorë, me naivitetin e një fëmije që i fut dhëmbët çokollatës që i del para syve. Po të shikosh historikun e skemës që kanë ndërtuar llahtarisesh nga banaliteti i veprimeve të bëra.
Ata krijojnjë një shoqëri me aksionerë fallco, në vitin 2016, pothuajse menjëherë pas fitores së bashkisë, dhe pa kaluar as një muaj nga themelimi, i japin asaj paratë e para publike. Në 8 vite e kanë bërë këtë së paku me 22 tendera, në miliona euro. Kjo ndërmarrje megjithëse ka fitime të mëdha dhe dividentë të pa shpërndarë shitet në disa duar me çmime qesharke, pa çarë askush kokën se kjo mund të vinte erë. Edhe më indeferentë tregohen drejtorët që janë pronarë realë në caktimin e pronarëve fiktivë. Ky “nder” i bëhet fillimisht një elektriçisti, e më pas një bukëpjekësi. Ata nuk merakosen se të gjithë punonjësit e kompanisë që fiton punë publike i njohin padronët e vërtetë, madje siç pohon edhe njëra prej tyre, e dinë që me ta është edhe Erion Veliaj. Bisedat e traskriptuara nga telefonët dhe kompjuterat që ka sekuestruar prokuroria, dëshmojnë se vendimet merren nga drejtori i mbrojtjes së teritorit, Marenglen Qato dhe shefi i ujësjellësit, Redi Molla. Ata të rekrutojnë në punë, ata zgjidhin konfliktet e brendëshme, ata sigurojnë punët, atyre u bie telefoni i administratorit. Madje, madje, janë aq idiotë sa ruajnë blloqe ku figurojnë paratë që tërheqin dhe dividentet e majme që ndajnë vit pas viti. Nga këta libra të zinj kuptohet lehtësisht se sa kanë fituar “R” dhe “M” nga fondet që i kanë kaluar vetvetes.
Qoftë edhe deri këtu budallallëku është me okë, por verbëria e tyre i çon përpara në lënien e gjurmëve sikur të jetonin në një botë sureale paprekshmërie.
Ngaqë leku rrjedh lumë dhe nuk dinë ku ta çojnë vendosin ta investojnë atje ku lahen paratë e qelbura të Tiranës, në ndërtim. Por hidhen edhe pak më tej. Në bregun e Ardiatikut. Pikërisht atje ku ajo punonjësja e përgjuar i thotë mikut të saj: “ky është hoteli i firmës ku punoj dhe ku është pronar edhe Lali”. Sikur ky ekspozim uluritës të mos mjaftojë, kërkojnë nga Edi Rama dhe e marrin, pa një pa dy, firmën e tij për statusin e ‘investitorit strategjik” në turizëm.
A ngopen? A kanë frikë se mos pikasen? Aspak. Sepse përpos parave i’u duhen edhe vota. Sipas shprehjes që u ka mësuar lideri, “duhet të vjedhin zgjedhjet për të vjedhur vendin dhe duhet të grabisin Shqipërinë që të kenë mundësi të blejnë vota”.
Të njëjtët drejtorë pronarë përbëjnë edhe shtabin elektoral të rizgjedhies së Erion Veliajt. Madje sikurse lexohet në bisedat e gjetura në celularët e kapur i detyrojnë punonjësit e kompanisë private “5D” që të përfshihen ne fushatë. Askush nuk e vret mendjen se sa më shumë hapa hedhin aq më të dukshme janë gjurmët që lënë.
Kështu, për ta përmbledhur, një grup drejtorësh të bashkisë krijojnë një kompani për të përfituar paratë që kanë për detyrë tu’a tenderojnë bizneseve të normale, kur fitimet e saj bëhen të mëdha i investojnë në aktivitete të tjera duke përfituar sërish favore nga shteti dhe më në fund, të gjitha këto së bashku i shfrytëzojnë në favor të zgjedhjeve, për të rimbajtur Erion Veliajn në zyrën e bashkisë. Gjithçka e bëjnë aq hapur, aq trashë, aq budallakisht sa kur e lexon dosjen hetimore duhet të fërkosh sytë për të kuptuar se nuk je në ëndër.
Në fakt kjo lehtësi e padurueshme e të vepruarit është lajmi i vërtetë i fashikujve volumizozë të saj. Sepse deri më tani, shumica e dinin se bashkia e Tiranës ishte projektuar si një makineri e madhe grabitjeje. Mënyra si blente mediat, gazetarët, këngëtarët, humoristët nuk linte asnjë dyshim për këtë. Por të gjithë këta sëbashku, duke shitur shpirtin, kishin krijuar edhe mitin e një Tirane të drejtuar prej njerëzve të punës. Njerëz që kishin klas, që ndërtonin bukur e me standart, që ishin më të lëçitur se rivalët e tyre. Shpesh kishte nga ata që thonin: “Vjedhin vjedhin, ama dinë të lënë vepra të mira”.
Pikërisht kjo bestydni naive u përdhos nga ajo çka po marrim vesh këto ditë. Ata nuk paskan qenë vetëm hajdutë, por edhe amatorë. Dhe kur janë treguar aq të vegjël mendërisht, aq të varfër në imagjinatë dhe aq jo krijues në fshehjen e gjurmëve, nuk kanë se si të kenë qenë të ndryshëm për ne. Kur kanë qenë aq përtacë për të përmbushur misionin kryesor që i patën vënë vetes, ka zero shance të kenë lënë ndonjë gjurmë talenti mbi Tiranën./Lapsi.al/
OPINION
Fitorja shqiptare në Maqedoninë e Veriut
Nga Arber Cejku
OPINION
‘Kryeministri i shikon vartësit si minj’/ Reagim i fortë nga Endi Tafani
OPINION
Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës
Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës
1. Ajo që thuhet ditën e parë është e paplotë. Komunikatat, lajmet dhe deklaratat e ditës së parë janë shpesh kontradiktore dhe rrallë “qëllojnë në shenjë”.
2. Nuk ka vetëm një shkak. Tragjeditë rrallë kanë një arsye të vetme. Fokusi vetëm te një shkak çon në shpjegime të thjeshtëzuara dhe të mangëta.
3. Reagimi politik dhe institucional mbetet vetëm në nivel retorike. Përgjigja nga politikanët dhe institucionet shpesh mbetet te fjalët, me deklarata ku dënohet dhuna, apo me thirrjet për ndëshkim nga drejtësia.
4. Etika, është gjëja e fundit që i shkon në mendje medias. Në ngutin për të raportuar mbi një tragjedi, sensacionalizmi merr përparësi ndaj etikës. Fotot, videot, raportimi i detajuar apo edhe spekullativ ndikon jo vetëm te familjarë e përfshirë në tragjedi.
5. Rrënjët e krizës familjare, shoqërore, institucionale dhe politike mbeten të pa analizuara.
6. Reagimi opinionit, i shpejtë por sipërfaqësor. Pas një tragjedie, shpesh ka një valë empati dhe solidariteti, por kjo valë fillestare zbehet shpejt. Vëmendjen e opinionit e marrin “skandalet e radhës”
7. Ekspertët flasin, por nuk degjohen? Në ngjarjen e Shkodrës disa ekspertë (psikologë dhe sociologe) analizuan shkaqet dhe dhanë një tablo më të gjerë të rrënjëve të tragjedisë. Fatkeqësisht, nuk i dëgjon kush deri në tragjedinë e radhës.
8. Përgjegjësia mungon—Fillimisht, bëhen thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi. Por me kalimin e tri ditëve prozhektorët e medias kalojnë në skandalin e radhës dhe zelli për të gjetur përgjegjësit tretet si vesa mëngjesit.
9. Fatalizmi i pa shmangshëm. Kur mbetesh te konstatimi dhe te veprimet “më ka çu nona me la gojën”, nuk ka asnjë shpresë për ndryshim.
10. Në pritje të tragjedisë së radhës. Në mungesë të reflektimit dhe veprimit tragjedia e radhës është çështje kohe.
OPINION
“Veliaj është gati t’i japë SPAK-ut edhe godinën e Bashkisë, veç mos e arrestojnë”
Jurisati Ylli Manjani ka ironizuar deklaratën e djeshme të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në një prej televizioneve të tij, ku tha se ka bërë shumë për SPAK, duke e ndihmuar me dhënien e godinës së ish-Ujësjelljësit, në mënyrë që “kolegët e BKH-së, të punojnë në kushtet njerëzore”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Manjani shkruan me ironi se Veliaj është i gatshëm t’i dhurojë edhe godinën e Bashkisë së Tiranës, SPAK-ut, vetëm që ata të mos e arrestojnë.
“Jo godinën e ujësjellësit por edhe godinën e bashkisë i jep SPAK-ut në këto momente AliBabVeliaj.
Mor po del në zyrë me qera në Vorë po qe nevoja, veç mos e arrestojnë…”, shkruan Manjani.
OPINION
Kush po e drejton botën?
Ditmir Bushati bisedoi në podcastin e tij Public Square me Ian Bremmer, një shkencëtar politik mjaft i spikatur, jo vetëm në SHBA, por edhe jashtë saj. Bremmer është president themelues i kompanisë “Eurasia group”, një kompani konsulence, e cila merret me analizimin e risqeve në mbarë botën. Ian, në të njëjtën kohë, është edhe themelues e drejtues i medias digjitale “GZERO”
Bushati dhe Bremmer diskutuan mbi cështje të rëndësishme të cilat janë kryefjalë e opinionit publik ndërkombëtar, duke nisur nga beteja presidenciale Biden-Trump në SHBA, e cila do të jetë përcaktuese për disa konflikte dhe për mjedisin e ri gjeopolitik, por edhe cështje që kanë lidhje me demokracrinë, me sundimin e së drejtës, me ekonominë, me inteligjencën artificiale dhe zhvillimet e vrullshme teknologjike, me rolin e organizatave ndërkombëtare, me rolin e kompanive ndërkombëtare, dhe ndikimin që ato kanë në sjelljen njerëzore, politike, ekonomike, shtetërore dhe jo vetëm.
Biden apo Trump? Cfarë duhet të presim prej tyre?
Bushati dhe Bremmer diskutojnë mbi procesin zgjedhor të muajit nëntor në SHBA të cilat kanë rezervuar një ripërballe Biden-Trump. Bashkëbiseduesit bien dakord që këto zgjedhje kanë një ndikim të madh, si në planin e brendshëm ashtu dhe në rrafsh ndërkombëtar. Në planin e brendshëm, kjo garë do të shoqërohet me një mjedis disinformimi dhe disinformimi të perceptuar, ku amerikanët nuk pranojnë shumicën e gjërave që dëgjojnë nga pala tjetër kundërshtare në politikë. Është një betejë shumë e ashpër, ku shumica e amerikanëve gjithnjë e më shumë nuk besojnë te vlerat dhe institucionet që përfaqëson vendi i tyre.
Bushati dhe Bremmer diskutojnë mbi atë cfarë do të ndodhë në Europë dhe më tej dhe në Azi, nëse fitues i këtyre zgjedhjeve rezulton ish-Presidenti i SHBA-ve. Sipas Bremmer, do të ketë shumë më tepër mungesë stabiliteti, paqëndrueshmëri, pasiguri nga shtetet më të fuqishme të botës.
Sipas tij, katër janë frontet kryesore të tensionit gjeopolitik që do të vijnë nga zgjedhja e Trumpi-it, mbi të cilat ai do të vendoste shumë më tepër presion ndaj secilit prej tyre. Në rastin e Lindjes së Mesme, ka më shumë mundësi që rezultatet të jenë në favor të SHBA-ve. Në rastin e Europës dhe Ukrainës, ka më shumë mundësi që rezultatet të jenë kundër SHBA-ve dhe NATO-s. Kina është tërësisht një mister. Gjithçka mund të ndodhë. Kina mund të përfundojë në një luftë shumë më të madhe me SHBA-në, ose me një ekonomi më të dobët. Dhe me një Azi në një mjedis gjeopolitik sfidues, ata mund të tërhiqen në përpjekje për të gjetur një mënyrë për ta pranuar situatën dhe për t’i mbajtur marrëdhëniet të stabilizuara.
NATO këtë vit shënon përvjetorin e 75-të të themelimit dhe Bushati e Bremmer bien dakord që viti i shkuar ka shënuar kulmin e kësaj aleancë në dekada. NATO po dobësohej përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në vitin 2022. Pavarësisht se lufta filloi në vitin 2014, europianët nuk po shpenzonin, dhe sigurisht nuk po angazhoheshin për ta bërë Ukrainën apo Gjeorgjinë pjesë të NATO-s në një të ardhme të afërt. Rusia e shfrytëzoi këtë gjë. Më pas, Rusia bëri atë gjë që nuk duhej ta kishte bërë kurrë. Sun Tzu ka thënë: “Mos e ndërprit kundërshtarin teksa është duke bërë gabime”. NATO po dobësohej, kishte më pak mbështetje, Franca po fliste për autonomi strategjike, Trump po thoshte se ndoshta nuk duhej të angazhohej më në aleancë, dhe më pas Putin pushton Ukrainën, gjë që e bashkoi NATO-n. Kjo bëri që Suedia dhe Finlanda të donin t’i bashkoheshin NATO-s. Kjo situatë bëri që të gjithë të shpenzonin më shumë, bëri që Gjermania të fliste për një Zeitenëende (pikë kthese). Por, vijon Bremmer, dy vite më vonë, Rusia ka më shumë vëmendje ndaj Ukrainës, janë më të duruar dhe të gatshëm të durojnë më gjatë, sesa më shumë – jo të gjithë – por më shumë aleatë të NATO-s. Fatkeqësisht, në vitin 2024 nuk po shikojmë atë pikën kulmore të NATO-s që pamë në vitin 2023.
Komunitet i mbrojtjes së BE-së?
Bremmer beson se Bashkimi Europian ekziston si një komunitet politik, është eksperimenti më i suksesshëm i qeverisjes mbikombëtare në botë, në ditët e sotme, por shpreh rezerva nëse do të jetë po kaq i suksesshëm me ngritjen e komitetit të mbrojtjes. Sipas tij, komuniteti është më i fortë pas reagimit ndaj krizave, si Brexit, pas reagimit ndaj pandemisë, përgjigjen ndaj pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë apo politikave të përbashkëta të energjisë. Por, për sa i përket mbrojtjes, kjo është diçka e vonuar dhe e paktë. “E parë në përgjithësi, ky është një hap i mirëpritur për të përforcuar aftësitë në fushën e mbrojtjes të Europës. Unë jam skeptik se thirrjet për një komision për mbrojtjen do të jenë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim të rëndësishëm, edhe pse ato do të bëjnë ndryshime të vogla, kur flasim për të ardhmen e Ukrainës, apo kur flasim për të ardhmen e NATO-s. Nuk mendoj se kjo do të jetë një nga sukseset përkrah sukseseve të tjera që përmenda”.
Siguria e ekonomia globale dhe rendi digjital
Bushati dhe Bremmer ndajnë mendimin se SHBA-të janë fuqia dominuese e sigurisë në nivel global, si i vetmi vend në botë që mund të projektojë pushtetin e tij ushtarak në të gjithë botën. Por rendi ekonomik është një rend me shumë pole, me një sërë polesh që ndryshojnë ndikimin e tyre relativ. SHBA-të, Kina, BE-ja, por edhe India po bëhet më e rëndësishme. Në vitin 2030, ajo do të jetë ekonomia e tretë më e madhe. Japonia, gjithashtu. Një rend me shumë pole, ku askush nuk mund të dominojë, me shumë aleanca që zhvendosen. Por, më pas kemi edhe një rend digjital që po dominohet gjithnjë e më shumë nga kompanitë teknologjike. Dhe teknologjia po lëviz shumë më shpejt sesa qeverisja dhe aftësia për ta drejtuar atë. Ne ende nuk po i mendojmë kompanitë teknologjike si aktorë gjeopolitikë, por ato janë të tilla. Ato po bëhen të tilla gjithnjë e më shumë. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë me revolucionin e inteligjencës artificiale. Rrjedhimisht, kjo është një periudhë veçanërisht entuziaste për gjeopolitikën, por me shumë gjasa një periudhë e rëndësishme për Perëndimin.
Teksa bien dakord që inteligjenca artificiale është një faktor dominues që mund të jetë një forcë pozitive, por mund të ketë edhe pasoja shumë të rënda, Bushati dhe Bremmer shprehen se SHBA-të dhe Kina janë dy fuqi dominuese në botë që kontrollojnë inteligjencën artificiale. Megjithatë nuk është e qartë nëse qeveritë do të kenë një rol të madh në vendimmarrje. Në SHBA kjo është e paqartë. Por, vendimarrja politike mund ta pengojë Kinën që të bëhet një aktor i nivelit botëror për inteligjencën artificiale, pasi Kina është e shqetësuar për atë që mund të bëjë inteligjenca artificiale me qytetarët e saj, duke prishur regjimin autoritar. Dhe nuk është e qartë nëse SHBA-të dhe Kina do të jenë dy fuqitë dominuese në inteligjencën artificiale. Ose nëse do të mendojnë për të më shumë në një mënyrë të fragmentarizuar, me një numër të madh aktorësh që nuk janë shtete, të cilët qeveritë nuk do të mund t’i kontrollojnë. Dhe nëse kjo gjë do të bëhet një realitet, rolet e qeverive në SHBA dhe Kinë do të jenë të kufizuara. Ato nuk do të mund të jenë vendimmarrëse.
-
Pinknews13 hours ago
‘Mori vendimin drastik dhe u hodh me fëmijë’/ Egla Ceno nxjerr bllof produksionin e ‘BBV’
-
Kosova12 hours ago
Amerika “ultimatum” Vuçiçit/ Zyrtarja e lartë: Kujdes me Kosovën
-
Pinknews12 hours ago
‘Është analfabet…’/ Ish-fituesi BBVA: Traumë e madhe e shoqërisë nëse fiton Romeo
-
Kosova16 hours ago
Sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore për FSK-në në Kosovë
-
Kosova17 hours ago
Kjo është shqiptarja që u vra në Athinë nga ish- burri, zbulohet e shkuara dhe konfliktet e vazhdueshme në familje
-
Kronike18 hours ago
A janë parë persona të tjerë pranë vendit ku Alma Arrazi u vetëflijua me tre fëmijët e saj
-
Pinknews13 hours ago
“S’më plas të sjell Donaldin”/ Romeo i kthehet keq Eglës: Shpërlaje pak gojën
-
Politike12 hours ago
“Italia ha bukë veç”/ Rama zbulon nëse do të ketë marrëveshje me një shtet tjetër për emigrantët