Connect with us

Kronike

Terrorizohet Durrësi/ 40-vjeçari mban peng dy fëmijët e mitur dhe qëllon ndaj RENEA-s, arrestohet

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Durrës, ku një shtetas 40-vjeçar, ka mbajtur peng dy fëmijët e tij të mitur për disa orë dhe ka qëlluar ndaj efektivëve të forcave RENEA me armë. Por, pas disa orësh negociata, ai është prangosur.

Sipas një njoftimi zyrtar policor, rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.

Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Gjithashtu, Policia nxori të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.

Zbulohet dëshmia e Aleks Markut: Qëllova se prisja të më sulmonin

Detaje të reja janë zbuluar nga pengamarrja në Durrës, ku 40-vjeçari Aleks Marku mori peng dy fëmijët e tij dhe ka qëlluar me armë zjarri.

Pasi policia e Durrësit njoftoi forcat speciale RENEA, të cilat bënë të mundur neutralizimin e tij, 40-vjeçari ka folur për policinë. Gjatë kohës që është kryer neutralizimi, dy fëmijët e autorit, i kanë bërë thirrje të dorëzohet.

U mësua se Marku, ka deklaruar se ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe ka qëlluar me armë, pasi priste se do ta sulmonin disa persona, por pa treguar se kush ishin këta të fundit.

Ndërkohë dy fëmijët, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po marrin ndihmë nga psikologu

Advertisement