Kosova
Protesta për Urën e Ibrit/ Kurti fton serbët për bashkëbisedim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për protestën e sotme në Mitrovicën e Veriut kundër hapjes së urës së Ibrit, duke ftuar qytetarët serbë që të marrin pjesë në diskutimin e përbashkët ku do të njoftohem mbi përfitimet nga hapja e urës.
Gjithashtu Kurti, ka falënderuar ditën e sotme institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e protestës së qytetarëve serbë në veri të Mitrovicës, të cilët dolën për të kundërshtuar hapjen e Urës së Ibrit. Sakaq Kryeministri i Kosovës ka thënë se Urës së Ibrit padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale.
“Protesta e mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut përfundoi pa asnjë incident. I falënderoj institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj. Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim. Komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”. I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit. Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit,” tha Kurti.