Kosova
Deputetët e Kurtit vënë në ‘shënjestër’ Manuel Sarrazin: S’din çfarë flet
Kritikat e emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për Qeverinë Kurti, nuk iu kanë pëlqyer eksponentëve të partisë në pushtet. Kjo ka bërë që deputetë e zyrtarë të VV-së të kritikojnë ashpër diplomatin gjerman. Madje, kritikat e zyrtarëve në fjalë kanë shkuar deri në fyerje, duke thënë se Sarrazini nuk di çka flet.
Ndër të paret që ka reaguar ndaj kritikave të diplomatit gjerman, ka qenë deputeti i VV-së, Dimal Basha.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se mënyra e shprehjes së diplomatit gjerman nuk është në rregull.
“Sarrazin po thotë që është jashtëzakonisht e rëndësishme lëvizja e lirë për mallrat e Serbisë në Kosovë, kurse është kategorik kundër lëvizjes së lirë të automjeteve mbi Urën e Ibrit! Dhe në fund thotë, jemi aleat dhe mik i juaji. Për besë kjo nuk është qasje që e ushtron ndaj një miku e aleati”, ka shkruar ai.
Edhe më i ashpër ka qenë Sadri Ramabaja, analist politik dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se diplomati gjerman nuk e ka idenë se çka flet.
“Diplomati M.Sarrasin nuk e ka as idenë çka flet. Ai jeton në botën e tij ideologjike (të gjelbërt) dhe për rrjedhojë as që e njeh realitetin! Prandaj kur përballet me gazetar profesionist e me ndjesi të kultivuar qytetarie, siç i ndodhi në intervistën dhënë KTV-së, bëhet qesharak”, ka shkruar Ramabaja.