Connect with us

Aktualitet

“Mosbindja”/ Spektakli që u shua, përballë dhunës që vazhdon

Nga Enton Abilekaj

Mbeti një spektakël fishekzjarresh dhe molotovësh, ajo që mbrëmë u pretendua të ishte fillimi i mosbindjes civile. Një spektakël me disa të lënduar, me dëme fasadash, me një fëmijë që provoi për herë të parë gazin lostsjellës, për të kuptuar se ku po jeton dhe me një luftë propagandistike montruoze.

Kulmi i propagandës ishte rasti i gruas që lindi në makinë. Pasi lajmëroi urgjencën, në vend të ambulancës i shkuan kamerat për të prodhuar filmin e fundit të Rilindjes, protesta detyron nënën të lindë në makinë. Me mjekët e ardhur serbes nga spitali që ishte aq afër sa, po të mos kishte dhimbjet e lindjes, mund ta bënte në këmbë, videoja u përhap si virus në të gjitha mediat. Propaganda arriti kulmin e suksesit, ndërsa shërbimi shëndetësor kulmin e turpit.

Pastaj Ministri i Brendshëm doli për të share opozitën, duke treguar se është aty si komandant i një trupe të armatosur në mbrojtje të Regjimit dhe jo për tu shërbyer qytetarëve, policë apo protestues qofshin. Drejtuesit e PD-së që drejtuan protestën u paditën në Prokurori, duke plotësuar kështu ansamblin e liderëve të opozitës me çështje penale.

E gjitha ajo që ndodhi shpjegon vetveten, një opozitë pothuajse e pafuqishme, përballë një pushteti absolut dhe agresiv, që pasi ka kapur gjithçka, nuk e ka fare problem të burgosë edhe opozitën.

Sot ishte qetësi, sikur kjo fabul të mos kishte ndodhur vetëm pak orë më parë, sikur pushteti i korruptuar që ka korruptuar gjithçka të mos jetë më aty, sikur rezistenca ndaj së keqes të jetë vetëm detyrë e një partie. Por as partia nuk e bën dot më. Pas shfaqjes së mbrëmshme, sot në vend të intensifikimit të aksionit, kishte shpërndarje dekoratash. Rezistenca kthehet si spektakël i organizuar nga zyra e organizimit, në një datë të papërcaktuar. Një shoqëri e lodhur që ka nxjerrë një opozitë po aq të lodhur nga një pushtet totalitar që dhunon çdo ditë. Edhe e anasjellta është po aq e vërtetë, një opozitë e lodhur, që nuk di të ndezë asnjë shkëndijë në një shoqëri të asfiksuar.

Kështu pushteti dhe dhuna e tij mund të ndihen që sot më të inkurajuar për tu bërë akoma më totalitar, më të paligjshëm, më kontrollues dhe më të pakujdesshëm për të fshehur krimin.

Ndërsa opozita, ashtu e konsumuar dhe e akomoduar mirë si fasadë, mund të bëhet e dobishme vetëm kur të fillojë komunikimin me qytetarët, vetëm kur të ndajë hallin e rotacionit nga ai i zgjedhjeve të lira, endrran e pushtetit të ardhëm nga brutaliteti i pushtetit të tanishëm. Kur në vend të sekreteve qesharake, të zgjedhë transparencën dhe ndërveprimin me qytetarët, që ata të gjejnë më në fund veten tek arsyet për “moshindje civile”. Nëse do të jetë ekskluzivitet i PD-së, moshindja do të mbetet një spektakël i kufizuar, me orarin e caktuar nga një punonjës partie që ka marrë leje në polici për të ngritur kokën.

Advertisement